Transmetuar më 18-09-2019, 10:42

Komision Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta po zhvillon mbledhjen e radhës. I pari që mori fjalën ishte deputeti Adriatik Alimadhi. Ai ka kërkuar që ky komision të ndalojë punimet, pasi sipas tij nuk ka elementët e duhur për të hetuar Presidentit Ilir Meta.

“Ky komision nuk duhet të ekzistojë më se nuk ka elemntët e duhur për të hetuar presidentit. Nuk kemi të bëjmë me shkelje të rëndë që fajëson presidentin Ilir Meta se nuk ka marrë një vendim që prek interesat e vendit. Ngritja e këtij komisioni i privon liritë dhe të drejtat presidentit qoftë zoti Meta apo dikush tjetër sepse nuk funksionon Gjykata Kushtetuese.

Në fakt kam kërkuar të shtyhet dhe ju erdhët në idenë time pas dy muajve. Nuk kemi shkelje të rëndë që fajëson Presidentin, sepse presidenti nuk ka bërë ndonjë marrëveshje që prek interesat e këtij vendi apo shkel të drejtat e shtetasve të Republikës së Shqipërisë”, tha Alimadhi.

Nga ana tjetër Manja tha se ka një plan hetimor të miratuar dhe se diskutimet e këtij lloji të propozuara nga Alimadhi do të bëhen në një seancë të posaçme pas mbërritjes së opinionit të Venecias.

“Kemi një plan hetimor të miratuar në këtë komision dhe nuk mendoj se duhen djegur etapat. Diskutimi juaj ka të bëjë me diskutimet që ne kemi lënë të bëjmë në një seancë të posaçme pas opinionit të Komisionit të Venecias. Sot kemi miratimin e procesverbalit, procedurë e këtij komisioni. Është zbardhur dëshmia e Presidentit. Jemi dakord me procesverbalin e mbledhjes së datës 9.9.2019. Miratohet. Si pikë të dytë kemi zgjatjen e afatit të kom hetimor”, tha Manja.

Komisioni është mbledhur sot për të shqyrtuar kërkesën për zgjatjen e mandatit të komisionit, në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias. Gjithashtu në rend të ditës është edhe miratimi i procesverbalit për mbledhjen e 9 shtatorit ku ishte edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta./b.l/noa.al/