Transmetuar më 17-09-2019, 21:33

“Fiks Fare” solli sot në mbrëmje historinë e rëndë të abuzimit të një vajze me probleme të shëndetit mendor nga një i moshuar.

Një 22-vjeçare me probleme të shëndetit mendor është abuzuar seksualisht nga fqinji i saj 71 vjeçar. Ky i fundit kapet “mat” nga babai i vajzës duke e abuzuar seksualisht.

Gjendja shëndetësore e 22 vjeçares është e rënduar dhe për këtë ajo e ka të pamundur komunikimin, përveç lëshimit të pasthirrmave. Për këtë arsye është shumë e vështirë të kuptohet nëse kjo ishte hera e parë apo vajza është abuzuar rregullisht.

71-vjeçari po hetohet i lirë, pasi sipas prokurorisë nuk ka prova konkrete edhe pse në momentin që ai është kapur në flagrancë dhe ka pranuar fajin. Abuzimin seksual me 22 vjeçaren me probleme të shëndetit mendor e konfirmon edhe akti i ekspertizës mjeko-ligjore, ku thuhet se vajza paraqet deflorim të vjetër.

Fiksi ishte në shtëpinë e 22-vjeçares, e cila jeton me prindërit në një fshat të Poliçanit. Babai dhe nëna me lot në sy tregojnë që vajza e tyre ka shfaqur probleme të shëndetit mendor që në moshën 2 vjeçare. Nuk flet dhe komunikon, vetëm nëpërmjet pasthirrmave.

Ajo nuk e dallon dot të mirën nga e keqja, është shumë e vështirë për të, pasi ka ndenjur gjithmonë brenda mureve të shtëpisë. Babai tregon se e kanë ruajtur gjithmonë dhe për këtë arsye e kanë mbajtur në shtëpi.

"Por është pikërisht në këtë shtëpi që e kemi ruajtur për kaq vjet që vajza është abuzuar. Nuk e dija, se po ta dija nuk do ta fusja kurrë fqinjin në shtëpi”, thotë babai.

Ai çohet në këmbë dhe tregon divanin ku gjeti fqinjin e tij tek qëndronte i shtrirë mbi vajzën, mbuluar me batanije po tentonte të kryente aktin e turpshëm.

Në momentin kur babai kishte hyrë në shtëpi, vajza ish shkëputur nga i moshuari dhe ish hedhur për ndihmë në këmbët e të atit.