Transmetuar më 17-09-2019, 15:23

Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, ka mbërritur në Tiranë, ku pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama.

Tusk vizitoi më herët Shkupin, prej nga ku bëri thirrje për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe vendin tonë.

Nga Shkupi, Presidenti i Këshillit thotë se kombi i vogël Ballkanik mund të fitojë "maratonën e pranimit", por po ashtu ai nuk përjashtoi Shqipërinë.

Udhëheqësit e BE duhet të votojnë në Tetor për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut, tha nga Shkupi Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk.

Tusk përsëriti mbështetjen e tij për Maqedoninë e Veriut për t’u anëtarësuar në BE gjatë vizitës në Shkup, pas një takimi me kryeministrin Zoran Zaev. Tusk gjithashtu vlerësoi gjetjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen e saj të gjatë për emrin me Greqinë, duke rënë dakord të quhet Maqedonia e Veriut.

Për vite me radhë, ky vend ishte njohur ndërkombëtarisht si IRJM, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Duke pasur parasysh tensionet e rritura midis vendeve të BE-së lindore dhe perëndimore, veçanërisht në lidhje me çështje të tilla si migracioni dhe rregulli i ligjit, ka pasur skepticizëm midis shumë liderëve të BE për zgjerimin e mëtejshëm të bllokut. Por Bullgaria e përdori presidencën e saj të Këshillit të Bashkimit Evropian në vitin 2018 për të bërë shumë përpjekje për të rikthyer Ballkanin Perëndimor në axhendën e Brukselit, veçanërisht drejt gjallërimit të shpresave të anëtarësimit – për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

"Kur drejtuesit e BE u takuan në qershor, tre muaj më parë, ata u angazhuan të jepnin një vendim" të qartë dhe thelbësor "- në Tetor – "nëse do të hapnin bisedimet e pranimit me ju dhe fqinjin tuaj, Shqipërinë," tha Tusk në konferencën e përbashkët me Zaev. "Unë shpreha pikëpamjet e mia personale në qershor: vendi juaj, brenda dy viteve të fundit, ka bërë gjithçka pritej nga ju që BE të mund të fillonte negociatat në përputhje me rekomandimin e Komisionit Evropian. Kjo vazhdon të jetë bindja ime e fortë. Vendi juaj ka bërë gjithçka ".

Tusk, i cili do të përfundojë mandatin e tij të dytë dhe të fundit si president i Këshillit në fund të nëntorit, tha se ai dëshironte që vizita e tij në Maqedoninë e Veriut dhe më tej në Shqipëri të tregojë mbështetjen e tij personale për të dy vendet fqinje të Ballkanit dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në BE. /a.m/NOA.al