Transmetuar më 17-09-2019, 13:33

Zbardhen detaje të reja nga kapja e 11 kg heroinë në Durrës. Policia Kufitare e Portit të Durrësit parandaloi një tentativë për trafikim të drogave të forta, duke sekuestruar sot 11 kg lëndë narkotike, e dyshuar heroinë dhe arrestoi në flagrancë një shtetas shqiptar, me banim në Zvicër.

Duke iu referuar burimeve nga policia droga dyshohet se kishte destinacion final Italinë. Mësohet se mjeti tip “Opel” në të cilin u gjend droga dyshohet të jetë modifikuar në Kosovë ku i është krijuar një hapësirë e posaçme. Një pjesë e heroinës ishte futur tek kjo hapësirë dhe pjesa tjetër brenda gomës rezervë.

I arrestuari, shtetasi kosovar rezident në Zvicër, Agim Sylejmani kishte udhëtuar me këtë mjet nga Kosova drejt Durrësit ditën e djeshme.

Pas zbulimit të drogës nga policia kufitare u bë arrestimi në flagrance i tij. Sylejmani ka mohuar të ketë lidhje me këtë ngarkesë dhe nuk ka dhënë sqarime për uniformat blu.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”./b.l/noa.al/