Transmetuar më 17-09-2019, 13:26

Nga qyteti i Shkodrës, ku takoi edhe kryebashkiaken në detyrë, Votlana Ademi, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se zgjidhja e krizës politike do të vijë nga brenda dhe jo nga jashtë.

Basha tha se "s’ka zgjidhje nga jashtë", pra nuk pritet asgjë nga faktori ndërkombëtar, por shtoi se kriza nuk zgjidhet, as duke parë nga qielli". Sipas Bashës, njerëzit duhet të marrin në dorë fatin e tyre, për t;i dhënë fund qeverisjes së Ramës, që është fajtori i kësaj gjendje të mjerueshme.

"As Edi Rama dhe qeveria nuk kanë përgjigje për vendin dhe as për Shkodrën. Vendi ndodhet në udhëtim delikat dhe kritik", theksoi Basha.

"Ndaj ne si opozitë, PD dhe aleatët, të bashkuar, kemi sot përgjegjësinë që t’i japim shqiptarëve zgjidhjen që e meritojnë. Kriza është prodhuar nga bashkëpunimi i politikës me krimin dhe ajo mund të zgjidhet duke e ndarë atë nga krimi", shtoi kreu demokrat.

Basha përmendi edhe emra konkerët, të cilët dolën nga 30 qershori.

"Proces zgjedhor pa garancinë se qytetarët nuk do të dhunohen, pa një transformim të thellë, nuk mund të ketë. Do të vazhdojmë betejën deri në fund për të çliruar Shqipërinë nga politika e lidhur me krimin. Ky është qëllim që bashkon gjithë shqiptarët e ndershëm. As Rama e as organizata e tij kriminale nuk kanë as përgjigje dhe as zgjidhje për Valdrin Pjetrin, Kajmakun, apo Babanin."

Por cila do të jetë zgjidhja?

"Rruga e zgjidhjes së kësaj krize të jetë sa më e mundshme dhe e shkurtër. Kjo situatë e mundimshme ekonomike që është produkt i krizës ekonomike nuk mund të zgjasë dhe triumfi mbi të keqen nuk do të vonojë. Shkodra ka qenë dhe është simbol i pathyeshmërisë para të keqes. S’ka zgjidhje nga jashtë. Zgjidhja do të vijë nga brenda. Jashtë kemi pasur miq, por kjo krizë nuk zgjidhet duke bërë viktimë apo duke parë nga qielli. Zgjidhet duke marrë në dorë fatet tona”, tha Basha, pas takimit të sotëm me Voltanda Ademin.

Kujtojmë se Ademi, pas dorëheqjes  së Valdrin Pjetrit është e vetmja kryebashkiake e djathtë, ende në detyrë. /a.m/NOA.al