Transmetuar më 17-09-2019, 13:07

Arrestohen dy persona në Shkodër.

Sipas policisë ata u kapën me lëndë narkotike dhe armë, ndonëse gjatë ndjekjes i braktisën ato.

Të arrestuarit kishin për qëllim trafikun e tyre.

Në pranga ranë Rr.P. 23 vjeç  dhe M.P, 21 vjeç, të dy banues në Selcë të Malësisë së Madhe.

Dy të rinj ishin të afërm me njëri-tjetrit dhe u kapën në flagrancë, teksa po tentonin që lëndën narkotike dhe armët t’i trafikonin përtej kufirit, në Malin e Zi.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet operacioni policor “GREÇA“

Operacioni në terren të vështirë e malor.

Kapen dhe ndalohen dy shtetas të shpallur në kërkim për trafikim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, falë një pune të mirëorganizuar dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në fshatin Selcë të Malësisë së Madhe, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasve:

Rr. P., 23 vjeç, banues në fshatin Selcë, Malësi e Madhe.

M. P., 21 vjeç, banues në fshatin Selcë, Malësi e Madhe.

Për këta dy shtetas Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg".

Më datë 10.03.2018, dy shtetas nëpërmjet kufirit të gjelbër, nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, në vendin e quajtur Shkalla e Selcës, kanë tentuar të trafikojnë lëndë narkotike (cannabis sativa), armë dhe municione, por pasi janë hasur nga shërbimet policore, duke shfrytëzuar errësirën dhe terrenin malor janë larguar duke i braktisur ato.

Nga Seksioni i Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë në bazë të informacioneve policore mbi personat e dyshuar, për një periudhë 18-mujore ka vazhduar hetimi për mbledhjen dhe sigurimin e provave ligjore për autorësinë e këtij rasti dhe nga tërësia e veprimeve policore dhe hetimore u arrit që të dokumentohet ky rast trafikimi.

Gjatë këtij operacioni është sekuestruar 74 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 1 armë zjarri dhe fishekë luftarakë.

Materialet u referuan në Prokurorinë për Krime të Rënda për veprat penale "Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe "Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake".

/a.m/NOA.al