Transmetuar më 17-09-2019, 10:12

Dance With Me nis edicionin e 6-të më 23 shtator. Pas plot pesë edicioneve me personazhe interesante, karaktere nga fusha të ndryshme të artit, kulturës, politikës, biznesit apo shoqërisë civile, skenën e kërcimit këtë vit do ta provojnë personazhe edhe më të gjallë.

Edhe këtë edicion, produksioni ka nisur nga puna prej disa javësh për të pasur një kast të larmishëm personazhesh, të cilët jo vetëm kanë dëshirë të kërcejnë, por sidomos kanë dëshirë ta provojnë dhe sfidojnë veten në një fushë të re duke i dhënë publikut një profil tjetër nga ai që njohim.

Plot 14 javë, për çdo të hënë, në teatrin e Tv Klan do të ketë kërcime, ritëm, ngjyra, spektakël, adrenalinë. 5 çifte në garë për titullin e madh që do të shpallet në natën finale. Në garë, çiftet do të jenë çdo javë për të grumbulluar në vend të parë të klasifikimit të ardhura për bamirësi për një komunitet në nevojë.

Një format televiziv unik në llojin e tij, i cili garanton sukses, shkruan class. Produksioni i Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut, në bashkëpunim me koreografin Albi Nako dhe trupën e baletit të TV Klan, premtojnë një spektakël të jashtëzakonshëm që do t’ju mbërthejë çdo të hënë pas ekranit.

Po cilët janë yjet në garë këtë vit?

Eduart Ndocaj dhe Kejvina Kthella

-Shumë ndryshe nga profili politik apo nga “kostumi” që veshin të gjithë politikanët, Eduart Ndocaj është personazhi që na ka treguar të gjithëve se politika mund të jetë ndryshe. Jo vetëm për idetë dhe parimet e tij demokratike, pavarësisht ngjyrimeve apo kaheve politike, por edhe për paraqitjen e jashtme – stilin unik dhe origjinalitetin që e karakterizon. Sa herë ju ka ndodhur ta ndiqni Ndocajn në intervista televizive, me siguri keni qeshur me batutat e tij spontane. Në DWM ai vjen me një qëllim tjetër – të sfidojë veten në një fushë të artit që për të nuk është pikë e fortë, por me partneren që ka, me siguri do të kthehet në e tillë.

-Është e vështirë që një foto e saj të mos jetë seksi. Modelja e njohur, e cila spikati në “Xing me Ermalin” me pyetjet e saj pikante, e vijoi modelingun edhe pasi u largua nga programi. Me jetën mes Italisë dhe Shqipërisë, Kejvina vazhdon të jetë vajza e nxehtë e Instagramit, por edhe e projekteve të tjera në fushën e modelingut. Në DWM, Kejvina vjen për të provuar veten në një sfidë të re, në një profil të ri, të cilin më herët nuk e ka zbuluar në publik, megjithatë ka shumë dëshirë ta ushtrojë e t’ia tregojë këtë aftësi dashamirësve të saj.

Stela Kotri dhe Valer Kolnikaj

Stela e njeh mirë botën e televizionit, por fusha e saj e sigurt është moderimi. Pas drejtimit të disa programeve në ekrane të ndryshme, bjondja e bukur ka marrë një pauzë të shkurtër e gjatë kësaj kohe po përgatitet për të kërcyer në ekran. Megjithëse kërcimi, si shumë prej personazheve të këtij spektakli, nuk është pikë e fortë edhe për Stelën, moderatorja e ka pranuar ftesën për të qenë në ekran me shumë kënaqësi. Madje, ka nisur edhe provat intensive për të shkëlqyer netët e spektaklit.

Kush nuk e njeh Valer Kolnikajn? Personazhi që spikati në shtëpinë e Big Brother 7, nuk e la me aq “karrierën televizive”. Mjek në profesion, por me pasion të madh ekranin dhe famën që të jep ai, Valeri sfidoi veten edhe në fusha të tjera, si modeling, këngë, gazetari etj. Megjithëse i është përkushtuar profesionit të mjekut, Valeri ka eksperimentuar edhe në fusha të fjalës – armën e tij të fortë. Së bashku me Sara Kapon, për një sezon në “Top Show Magazine” në Top Chennel, Valeri u ul edhe në karrigen e opinionistit. Edhe kërcimi nuk është fushë e paushtruar për Valerin, megjithatë këtë herë në DWM ai vjen i përgatitur, pse jo edhe për të rrëmbyer sa më shumë kupa gjatë të hënave.

Eva Murati dhe Ermal Peçi

Dyshja që vijnë nga e njëjta fushë – ajo e gazetarisë, duket si një bashkim ideal i këtij edicioni. Eva, prej vitesh e ka gjetur veten te gazetaria sportive, jo vetëm sepse e njeh mirë dhe ka fituar eksperiencë me vitet, por edhe sepse sporti e ka shoqëruar bukuroshen që fëmijë. Moderatorja që e ruan shumë profilin e saj personal të paprekur, në DWM do të zbulojë një anë tjetër të vetes që shumë pak njerëz ia njohin. As Evës nuk i ka munguar dëshira për të kërcyer, përkundrazi, megjithatë këtë pjesëmarrje në DWM, ajo e quan edhe një përgjegjësi të re, përveçse kënaqësi. Eva është gati për të treguar pikat e forta edhe në skenën e Dance.

Po ashtu, një prej personazheve më karizmatike në moderim. Nëse je i ftuar tek Ermali, zor se del prej andej pa i zbuluar të gjitha. Me batutat pikante, “Trokit” në InTv u kthye shpejt në programin më të ndjekur të showbiz-it. Në Dance, edhe Ermali do të provojë veten në një fushë që për të nuk është pikë e fortë, ama me natyrën që ka, me siguri Ermali do të dijë të bëjë spektakël edhe aty ku “10”-a mund të mos jetë gjithmonë nota e tij.

Mateus Frroku dhe Eliona Pitarka

Pas disa sukseseve të njëpasnjëshme muzikore, Mateusi ka vendosur që këtë sezon të merret me një fushë tjetër, jo edhe aq të fortë, e cila do ta ushtrojë edhe më shumë. Veç projekteve muzikore, këngëtari i njohur nga Korça, e ka gjetur veten edhe në lajmet e mediave rozë, por është treguar i kursyer për të zbuluar të reja. Gjatë këtyre javëve në DWM, ndoshta Mateusi zbulon ndonjë gjë më shumë edhe për veten.

Eliona Pitarka, aktorja e “Duplex”, spikati si fillim në “Zjarr TV”, si një nga spikeret që guxoi të jepte lajme me xhaketë të zbërthyer. Veç aktrimit, Eliona ka pasion edhe fotografinë dhe modelingun. Nëse hyn në Instagramin e saj, vështirë se i kalon shpejt fotot provokuese e me forma të theksuara. Ushtrimi në kërcim, për Elionën është gjithashtu një sfidë e re, të cilën ajo e pret me shumë dëshirë.

Era Rusi dhe Florian Agalliu

Era fryn gjithmonë ku është atmosfera. Ose, nëse nuk ka, ajo e krijon. Një prej këngëtareve më të mira e me zë të fuqishëm të muzikës shqiptare, do ta gjejë veten lehtësisht edhe në skenën e kërcimit. Era e këngëve të lehta, Era e këngëve popullore, Era e spektaklit, të gjithë këto profile do t’i përforconi për Era Rusin – bjonden e bukur që di gjithmonë të qeshë, të marrë e të përçojë energji të mirë nga jeta. Kështu do të jetë edhe në skenën e DWM…

Për Florin, skena e kërcimit nuk është e re, por ai, pa dyshim, i ka vendosur vetes qëllim të shkojë sa më lart e të grumbullojë sa më shumë pikë. Moderatori i “Në shtëpinë tonë” në Top Channel e ka pranuar me qejf ftesën për të qenë pjesë e këtij spektakli, ndaj edhe presim performancat e Florit të shkëlqejnë nga java në javë.