Transmetuar më 15-09-2019, 15:22

Ndonëse shoqatat e biznesit kanë kërkuar një shtyrje të procesit të përdorimit të faturave elektronike, të ashtuquajtur fiskalizimi, i cili parashikohet të nisë nga janari i vitit të ardhshëm, financat nuk kanë dhënë shenja tërheqjeje.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj.Anila Denaj zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit në Fier, qëllimi i të cilit ishte informimi dhe diskutimi lidhur me projektiligjin e “Fiskalizimit”.

Ministrja Denaj shoqërohej në këtë takim nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj dhe drejtues të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier. Bizneset e pranishme në takim i përkasin sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, si tregtia, hoteleri-turizmi, bar-restorante, gazi, transporti, ndërtimi, etj.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, informoi mbi fazat në të cilat do të kalojë reforma e Fiskalizimit dhe risitë që do të sjellë, ku faza e parë, e cila përfshin marrëdhëniet biznes-konsumator është parashikuar të nisë në 1 janar të vitit 2020, ndërsa dy fazat e tjera, që përfshijnë marrëdhëniet “biznes me biznes” dhe “biznes-shtet” janë planifikuar të nisin në 2021.

“Ndryshimi kryesor që projekti paraqet është raportimi në kohë reale i të gjithë faturave. Aktualisht bizneset që tregtojnë me konsumatorin dërgojnë pranë DPT informacion në bazë ditore të shitjeve të tyre. Nga 1 janar 2020, të dhënat nuk do të dërgohen në bazë ditore, por do të dërgohen sa herë që një shitje gjenerohet. Fatura do të dërgohet në serverin e DPT, nëpërmjet aplikacionit dhe sistemit që po ngrihet. Fatura do validohet në kohë reale nga serveri ynë dhe do të kthehet mbrapsht e fiskalizuar. Procesi do zgjasë pak sekonda”, sqaroi znj. Ibrahimaj.

Që në fillim të fjalës së saj, Ministrja Denaj theksoi rëndësinë që projekti i Fiskalizimit, apo projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, duhet të kuptohet drejt nga biznesi, sidomos sa i përket qëllimit se përse po ndërmerret kjo reformë, objektivave që ka, si dhe fazat në cilat është parashikuar se do të kalojë procesi.  Ndaj, znj. Denaj premtoi se për çdo fazë do të ketë një komunikim të vazhdueshëm me biznesin, si përpara miratimit të projektligjit, ashtu edhe kur të nisë zbatimi i tij.

“Ky proces nuk ka filluar sot, ka filluar pak më përpara, me angazhimin e qeverisë për të përmirësuar sistemin e mbledhjes së informacionit. Pse doli e nevojshme mbledhja e informacionit? Së pari, doli e nevojshme sepse këto janë sisteme që progresojnë në çdo vend të botës, jo vetëm në Shqipëri. Përpara pesë vjetësh, i gjithë sistemi i marrjes së informacionit ishte në një standard, sot është në një standard tjetër dhe teknologjia e mundëson për më tepër, marrjen e këtij standardi”, sqaroi Ministrja.

Aktualisht projektligji është në fazën e konsultimit të tij me grupet e interesit, ndërkohë që në muajin tetor do të nisë testimi i sistemit, për cilin sërish do të vijojë komunikimi me biznesin, në mënyrë që kur të nisë të nisë aplikimi biznesi të jetë i mirëinformuar.

Ministrja theksoi se reforma e Fiskalizimit ka disa objektiva kryesorë, si ulja e informalitetit në ekonomi dhe një administrim më të mirë nga ana e Administratës Tatimore, ndërkohë jo pak i rëndësishëm është ky proces sa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Në këto dy vjet unë ju ftoj që ta mendojmë këtë proces jo vetëm për të lexuar njëri-tjetrin në raportin e statistikave, por mbi të gjitha për të formalizuar ekonominë, për pasqyra të sinqerta financiare, për të ndihmuar biznesin tuaj për tu rritur, sepse akreditimi nuk është më pak i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik tuaj, por edhe në raport me pjesë të tjera të informalitetit.

Është një proces më i qëndrueshëm në luftën kundër informalitetit dhe nuk janë inspektimet objektivi ynë afatgjatë për të luftuar informalitetin. Objektivi kryesor është që ne këtë projekt ta kemi dhe si një parakusht për procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Pse? Sepse sisteme të përditësuara me teknologjinë, por jo vetëm, edhe me mendësinë e analizës dhe luftës kundër informalitetit, duhet të jenë në të njëjtën mendësi që është ajo e vendeve europiane”, theksoi znj. Denaj.

Takimi vijoi më pas diskutime mes palëve dhe sqarimin nga ana e përfaqësuesve të MFE dhe Administratës Tatimore mbi detaje teknike të Fiskalizimit, si dhe përgjigje për pyetjet e ngritura nga ana e përfaqësuesve të biznesit. /MONITOR/