Transmetuar më 14-09-2019, 13:05

Redaksionale NOA/ Belinda Balluku godet pikat e vogla të karburantit, thotë se veç 2 nga 130 pikat e Tiranës abuzonin(!) A e besoni ndonjëri këtë?

Të blesh karburant në pikat e shitjes në Shqipëri është një telash më vete për shumë arsye. Çmimi i shtrenjtë, taksat e pafundme, vjedhja në peshë, përzierja e poshtër që i bëhet si askund në botë, të bëjnë të marrësh rrugët e ta blesh karburantin gjetiu jashtë vendit, qoftë dhe pak kilometra nga kufijtë. Këtë mori faktesh e has shumëkush. Plot ankohen me fakte se si furnizojnë makinën në Shqipëri dhe harxhohet 2 deri tre herë më shpejt sesa kur karburantin, naftë apo benzinë e merr jashtë vendit, madje dhe goxha më lirë. Në të tilla kushte, të thuash se vetëm nja 2 nga 130 pika karburantesh në Tiranë shesin lëndë djegëse me probleme është të tallesh me njerëzit. Ministrja Belinda Balluku që ka marrë prej disa muajsh nën kontroll Infrastrukturën dhe Energjinë, publikoi pasditen e të premtes 13 shtator 2019 se gjatë kontrollit ditën e premte të 130 pikave të karburantit në Tiranë rezultuan 2 njësi karburanti, të cilat trajtonin produkt jashtë standardit, duke shtuar se po merren masa për mbylljen dhe ndalimin e ushtrimit të aktivitetit të tyre. Por sa e besueshme është kjo, kur veç pak javë më parë Edi Rama nuk pushoi së thëni se karburantet në Shqipëri janë mizerje dhe Balluku i mbajti ison? E vërteta është se asgjë nuk ka ndryshuar. Nafta dhe benzina sërish në Shqipëri janë të shtrenjta, janë pa pikë cilësie dhe kushtojnë ngado ti kapësh, goxha më tepër se te vendet fqinje. E megjithatë, Balluku ka guxim të thotë se veç 2 nga 130 pika shesin karburant jashtë standardeve, duke u bërë sërish pabesueshme nga shumica e shqiptarëve. /noa.al/