Transmetuar më 09-09-2019, 12:01

Presidenti Ilir Meta ka marrë “kritika” nga deputeti socialist Bashkim Fino sot në Kuvend, në komisionin hetimor të ngritur nga mazhoranca për shkarkimin e kreut të shtetit, se ka qenë i anshëm, jo mbi palët me vendimin për shtyrjen me dekret të datës së zgjedhjeve.

‘Presidenti duhet të jetë mbi palët. Më keni krijuar përshtypjen që keni qenë i palshëm. Ju thoni se shtyva zgjedhjet se nuk donte një palë, pra nuk donte Lul Basha të hynte në zgjedhje. Po tani që të dyja palët nuk i duan zgjedhjet. Çfarë do bëhet me zgjedhjet e 13 tetorit, prapë do merrni dekret për t’i shtyrë? Të gjitha çfarë thatë i keni me rezerva se ju duhet të jeni mbi palët. Ju i shërbyet një pale dhe ata nuk erdhën, ne i bëmë zgjedhjet, dhe ata prapë thonë se nuk do vinë me 13 tetor? Po nëse qeveria do merrte një vendim dhe do thoshte do shkarkoj presidentin? Do e zbatonte presidenti vendimin e qeverisë?’, iu drejtua Fino- Metës.

‘Kam marrë vesh nga mediat që keni ndonjë perceptim sikur kam ndonjë problem personal me ju, në këtë drejtim dua të siguroj që nuk ekziston asnjë shqetësim i tillë, përkundrazi ju keni qenë i preferuar nga ana ime. Detyra juaj jua kërkon të bëni pyetjen dhe vlerësimin tuaj dhe ju jeni në pozitë komode për ta bërë. Më duhet të kujtoj si koleg i vjetër se edhe kur kam qenë palë, edhe kryetar kuvendi edhe kryetar i një partie që ka qenë në koalicion me ju, për çështjet madhore kam qëndruar mbi palët. Dhe shembulli më i qartë ka qenë reforma në drejtësi, që kurrë nuk do të ndodhte nëse nuk do të isha mbi palët. E bëra sepse e dija që ishte e vetmja mënyrë që Shqipëria të merrte rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në që e mori atëherë dhe që kam frikë se ky rekomandim do të mbetet vetë rekomandim për një kohë të gjatë’, tha Meta.

Ai sqaroi më tej se dhe kur ka qenë kryetar i Kuvendit, edhe pse opozita ishte shumë e dobët numerikisht, ka bërë çdo gjë që të rrinte në Kuvend dhe të mos dilte në rrugë. ‘Unë do të vazhdoj të jem mbi palët. Dhe për të gjithë ata që kanë paragjykim se mund t’i shërbej një pale. Përse nuk mu kërkua mua të luaja një rol që opozita mos t’i dorëzonte mandatet, në mënyrë që mos të kishim këtë përshkallëzim të konfliktit? Përse duhej nxituar aq shumë për të bërë zëvendësime në bllok për 60 deputetë kur edhe për një deputetë të vetëm lejohet të paktën 30 ditë kohë. Dua t’ju them që duke respektuar bindjet tuaja politike, unë në këtë detyrë kam qenë dhe do të jem vetëm në mbrojtje të kushtetutës së Shqipërisë, të interesit kombëtar, publik dhe të integrimit evropian’, shtoi Meta.