Transmetuar më 09-09-2019, 11:26

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes socialiste Klotilda Bushka në komisionin hetimor, presidenti Ilir Meta deklaroi se ka shteruar të gjitha mundësitë e tij si President për të ulur palët politike në dialog në mënyrë që mazhoranca dhe opozita të garonin së bashku në zgjedhjet lokale.

Meta tha se dy pengesat kryesore, kanë qenë kryeministri Rama dhe kryedemokrati Basha, të cilët me kokëfortësinë e tyre kanë dalë me kushte të papranueshme për Presidentin. Presidenti ishte i qartë, kur tha se Shqipëria është në krizë përfaqësimi.

“Nuk ka shqiptar që nuk e di që Shqipëria është në një krizë të tmerrshme përfaqësimi, padyshim për faj të dy palëve, nuk janë thjesht 60 deputetë të opozitës që kanë ikur nga Kuvendi por 180. Por ky nuk është shqetësimi im. Kush tha që zgjedhjet nuk mund të bëheshin në korrik? Qëllimi im ka qenë për të vendosur datën më të shpejtë dhe më të afërt.Në shumicën e bashkive të vendit kishim vetëm një kandidat. Përpjekjet e mia kanë qenë të vazhdueshme për dialog.

Dy ishin pengesat kryesore, kokëfortësia e kryeministrit për të mos diskutuar mundësinë  e shtyrjes së datës 30 qershor dhe kokëfortësia e kryetarit të PD për të mos u ulur në një tryezë me Ramën si kryeministër.Të dyja ishin të papranueshme për mua. Përpjekjet e mia kanë qenë sistematike. Isha i gatshëm të caktoja një datë tjetër pas dakordimit të palëve. Nuk ndodhi deri më 8 qershor”, u shpreh Meta.

Më tej ai tha se, “Çfarë mund të bënte Presidenti kur të dy palët kërkonin konfrontim? Asnjë nga palët nuk do të mbanin përgjegjësi, do të ishte një faturë shumë e madhe për stabilitetin dhe besueshmërinë  e vendit dhe do të përshkallëzonte edhe më tej atë krizë që nuk ishte as në interes të Shqipërisë, as Kosovës dhe as shqiptarëve të tjerë në trojet shqiptare.Kam bërë aktin më të mirë të mundshëm, e kam pasur të pamundur të thërras një tryezë.Kur dy palët kishin një marrëveshje për konfrontim, ishte detyra ime si President për të evituar pasojat”./b.l/noa.al/