Transmetuar më 09-09-2019, 10:20

Presidenti Ilir Meta ka dalë sot para komisionit hetimor parlamentar që kërkon shkarkimin e tij, për të thënë fjalën e tij në seancën dëgjimore.

Në fjalën e rastit, Meta tha se të gjitha aktet e tij janë publike lidhur me dekretet për shfuqizimin e datës 30 qershor si ditë e zgjedhjeve vendore, ashtu si dhe më pas dekretimi i datës 13 tetor si ditë zgjedhjeve të përgjithshme.

“Unë kam dhënë një përgjigje në emër të institucionit që përfaqësojë për kryeparlamentarin Ruçi lidhur me çështjen në fjalë, të cilat janë bërë publike. Megjithatë e gjykova tepër të arsyeshme dhe të domosdoshme që të jem këtu, në radhë të parë se kam një bindje të plotë se çdo politikan dhe kryetar shteti duhet të tregoj respekt ndaj institucioneve por edhe pse jam i bindur se Kuvendi e ka bërë gjykimin para se të nisë kjo çështje nëpërmjet rezolutës së tij, por erdha në interes të transparencës për këtë vendimmarrje për të dhënë edhe të dhëna të tjera që u shërbejnë të gjithëve për tu qartësuar më shumë”, u shpreh Meta.

Sipas tij, të thuash që do të zgjedhësh me një kandidat, do të thotë t’iu mohosh qytetarëve të zgjedhin.

Kreu i shtetit mbërriti në Kryesinë e Kuvendit dhjetë minuta para nisjes së mbledhjes së orës 10.00, i shoqëruar Këshilltari për Sigurinë, Bahri Shaqiri, Këshilltari Ligjor, Bledi Dervishaj dhe Këshilltari për Mediat, Tedi Blushi, duke e përshkuar rrugën në këmbë.

Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një President paraqitet përpara një Komisioni Hetimor.

Ilir Meta do të hetohet për një periudhë tre mujore nga kryetari i komisionit hetimor Ulsi Manja dhe 8 deputetë të tjerë, 4 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita për shkelje të rëndë të Kushtetutës sipas kërkesës së bërë nga 55 deputetë socialistë.

Kreu i shtetit po verifikohet për procedurën e ndjekur nga lidhur me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve 30 qershor./a.y/noa.al