Transmetuar më 07-09-2019, 07:59

Komisioni Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar mbylljen e afatit ligjor për dorëzimin e kërkesave dhe listave të kandidatëve të subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e 6 tetorit.

Mësohet se kërkesat për pjesëmarrje në zgjedhje i kanë dorëzuar 25 subjekte politike.

“KQZ njofton se është përmbyllur afati për dorëzimin e listës së deputetëve për certifikim në zgjedhjet e 6 tetorit. Brenda afatit kohor kanë dorëzuar gjithsej 25 subjekte politike, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 i pavarur. Nga sot, e shtunë, fillon faza e shqyrtimit të të gjitha aplikimeve.

Më pas, Zyra për Regjistrim të partive politike paraqet pranë KQZ-së rekomandimet lidhur me aplikimet dhe KQZ-ja do të vendosë për aprovimin apo refuzimin e certifikimit. Vendimmarrja lidhur me certifikimin do të bëhet deri më 10 shtator”, tha zëdhënësi për mediat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Kujtojmë se një pjesë e subjekteve politike kanë publikuar listën me kandidatët për deputetë, ndërsa pjesa tjetër pritet t’i publikojë sot./b.l/noa.al/