Transmetuar më 06-09-2019, 23:36

Të frymëzuar nga droni me Shqipërinë Etnike, i cili u valëvit në tetor 2014 mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit, disa tifozë çekë kishin planifikuar të kundërtën e këtij mesazhi, pasi në stadiumin e Prishtinës planifikuan të lëshonin nesër një dron me një flamuri ku shkruhej: Kosova është Serbi!.

Policia e Kosovës tha se janë shoqëruar tetë shtetas të Çekisë me dyshimin se nesër në ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Çekisë në “Fadil Vokrri” do të shpalosnin me dron me flamurin “Kosova është Serbi”.

Këtë e ka konfirmuar zyrtari i policisë, Mehmetali Hajdini, i cili thotë se  aktualisht të dyshuarit janë duke u intervistuar, derisa konfirmon se janë kapur me dy flamuj serbë, një baner, një dron, një kamerë, e dy radiolidhje.

“Janë shoqëruar në DRP Ferizaj, ku momentalisht janë duke u intervistuar. U janë gjetur dy flamuj serbë dhe një baner me mbishkrimin antikosovar. Një dron, një kamerë dhe dy radiolidhje”, tha Hajdini.

Kosova e pret nesër Çekinë në Fadil Vokrri nga ora 15:00 në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

/a.m/NOA.al