Transmetuar më 03-09-2019, 17:15

Shqiptarët që mbështesin opozitën, ashtu si krerët e forcave politike opozitare, janë të prerë në qëndrimin e tyre: Edi Rama duhet të ikë që sot nga drejtimi i qeverisë. Por si do të ikë? – Me protesta, me dhunë, me zjarr, me gurë? “Po” – të thonë të gjithë, madje edhe ta vrasim e tërheqim zvarrë nëpër rrugë. Por këtë e provuam, dhe tashmë kjo alternativë është lënë pas, edhe me urdhër nga “lart”. – Me akuza, me denoncime skandalesh, me konferenca për shtyp? Këto janë mjete shumë demokratike, por institucioni i dorëheqjes nuk është krijuar ende në Shqipëri. Nëse ti mendon se krahas denoncimit të skandaleve duhet të punohet për të reformuar edhe sistemin zgjedhor e politik, ushtria e opozitarëve të mërzitur të turren: Çfarë thua more, Rama ore Rama, ai duhet tërhequr zvarrë tani. Si mund të mendosh ti të reformojmë sistemin, kur Rama është gjallë akoma? Dakord o njerëz opozitarë, me apo pa parti, edhe ju që keni bërë trastat gati për të ikur nga ky vend, por unë nuk mendoj se i duhet vënë flaka vendit sa herë na duhet të largojmë një kryeministër, të korruptuar apo të inkriminuar. Gjithashtu nuk mendoj edhe se, ikja e Ramës do të jetë shpëtim përfundimtar për vendin.

Sepse ne kemi thënë:

Në 1997: Të ikë Berisha e të vijë kush të dojë, ky është e keqja. Dhe ia vumë flakën vendit. Në 2005: Të ikë Nano e të vijë kush të dojë, se më keq se ky nuk ka. Dhe sollëm me votë të lirë sërish Sali Berishën. Në 2013: Të ikë Berisha e të vijë kush të dojë, se me keq se ky nuk ka. Dhe sollëm Ramën. Në 2019: Ta tërheqim zvarrë Ramën, e të vijë kush të dojë, se ky është e keqja e këtij vendi… Pas 4 ose 8 vjetësh, do të ndezim sërish zjarre për të larguar atë që do të na vijë pas Ramës? Unë mendoj se nuk është nevoja ti vëmë flakën kryeministrisë apo ta bëjmë kryeministrin qofte. Jo o njerëz të mërzitur! Ne duhet të protestojmë edhe për të kërkuar ndryshimin e sistemit, që të mos lejojmë më, që ai që do të vijë pas këtij, të bëhet edhe më i keq se ky. Dhe sistemi ndryshohet duke i dhënë, së pari, pushtet votës tonë. Që deputetin dhe kryetarin e bashkisë ta zgjedhim ne dhe jo kryetari i partisë, si pjesë të PPP-ve. Përse nuk e ndryshojnë sistemin këta, e keni vrarë mendjen? Sepse u intereson që partitë ti kenë nën kontroll si biznese private. Ndaj hajdeni ta ngrejmë zërin edhe për vjedhjen e taksave tona, edhe për reformimin e sistemit zgjedhor dhe politik.