Transmetuar më 31-08-2019, 00:36

Dukuria që prej vitesh ka përfshirë Europën dhe kontinentet e tjera, po bëhet e tillë dhe në Shqipëri: Shqiptarët kanë kthyer sytë nga bankat dhe ca institucione financiare jobankare, për të mbijetuar ose përmirësuar jetesën.

Tirana është qarku që mban peshën më të madhe të kredive të dhëna ndaj individëve.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se 60% e huave që bankat tregtare kanë dhënë për individët janë të përqendruara në kryeqytet.

Analiza sipas shpërndarjes gjeografike tregon se rreth 67.4% e këtyre kredive janë në segmentin e kredisë hipotekare, e cila reflekton dhe përqendrimin më të madh të kërkesës për blerje banesash në këtë qark, por edhe zhvillimin më të shpejtë urban dhe demografik të këtij qarku.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë për tendencat në kreditim, pas Tiranës, tre qarqet e tjera që mbajnë peshë në portofolin e kredisë për individë, janë Durrësi, Vlora dhe Shkodra.

Nga ana tjetër, shpërndarja gjeografike e kredisë konsumatore rezulton më e njëtrajtshme, ku vetëm 46.3% e kredisë për këtë segment është e përqendruar në kryeqytet.

Ekspertët e bankës së Shqipërisë vlerësojnë se zgjerimi i portofolit të kredisë konsumatore në vitet e fundit reflekton, ndër të tjera, përmirësimin në tregun e punës dhe marrëdhëniet me bankat, e rrjedhimisht lehtësimin e aksesit të individëve në sistemin bankar.

Në gjysmën e parë të këtij viti, kredia për individë vlerësohet në rreth 12.2% të prodhimit kombëtar. Ky raport është luhatur në të njëjtat nivele në tre vitet e fundit, duke konfirmuar ecurinë e qëndrueshme të këtij portofoli në raport me rritjen ekonomike në vend.

Por nga ana tjetër është shtuar shumë kredia me shuma të vogla. Janë ca të ashtuquajtura jobanka, të cilat, siç shprehet një kreditore e tyre, i thyejnë në mes shqiptarët me kamata të larta që shkojnë deri afro 100 për qind për 2 vjet ose 50 për qind në vit.

Kështu nëse merr 100 mijë lekë për 24 muaj, në total do të paguash 195 840 lekë!