Kryeministri Edi Rama citoi sot një tjetër aktor, i cili është shprehur pro ndërtimit të një godine të re të Teatrit Kombëtar.
Ai është aktori i Portokallisë, i cili njihet për rolin e kreut të Opozitës, Lulzim Basha.
“Marin Orhanasi është një nga aktorët më të talentuar të brezit të ri që i madh e i vogël sot e njeh dhe e duartroket me entuziazëm.”
Ai ka performuar mbi 30 premiera në Teatër e siç e shpreh dhe vetë, nuk ka lënë gozhdë e hekur pa shtrembëruar aty me kokën e tij.”
“Ai numëron të ketë dhjetë lloje akrepash në atë godinë e madje duke qeshur tregon edhe për gjarpërinjtë që ishin mësuar t’ju kthenin përgjigje kur ai bashkë me Luftar Pajën u fishkëllenin. Ja si e argumenton Marini nevojën për një Teatër të ri Kombëtar në vend të gërmadhës ekzistuese”, u shpreh Rama, duke publikuar edhe fjalët e Marinit.
MARIN ORHANASI:
“Shyqyr o Zot që nuk ka rënë ende ai teatër e faleminderit që rezistoi deri tani. Por për mua duhet teatër i ri dhe dinjitoz. Se kush e bën nuk është kompetenca ime dhe nuk mendoj se artisti duhet të merret me këtë. Pse të mos e lë edhe unë emrin në një teatër të ri e modern?”
“Ai teatër legjendar që është i tillë nuk u bë nga ndërtesa, është bërë nga emrat e aktorëve. Unë nisem nga logjika që do të jetë një sallë dinjitoze dhe që duhet një teatër i ri, kjo është e sigurt. Duhet të kuptoni, heronj nuk janë vetëm aktorët, janë edhe spektatorët, sepse ajo sallë as nuk ngrohet dot e as nuk ftohet dot. Ja pse sezoni i shfaqjeve është me ndërprerje, që nuk duhet të jetë kështu.”
“Unë si Marin dua një të ri, sepse e di si është i vjetri dhe i njoh kushtet mjerane të tija.”
a.m/noa.al