Transmetuar më 19-08-2019, 19:32

Kritikave rreth heshtjes së ministres Manasterliu, pas reagimit publik mbi gjendjen e vajzës 15-vjeçare që kërkonte ndihmë nga shteti për kurim jashtë, u është përgjigjur kryeministri Edi Rama.

Edi Rama ka dalë garant  i shpenzimeve për kurimin e saj në Turqi.

“Duke qenë se jo pak prej jush, interesoheni për Elonën, vajzën 15 vjeçare që po lufton me një sëmundje shumë të rrallë e të rrezikshme, ju bëj me dije se e kemi asistuar me përkushtim të plotë dhe kemi ndjekur me shumë përparësi procedurën, për kurimin e saj në një spital publik të specializuar në Turqi”, tha Rama.

“Presim nga ora në orë përgjigjen, po na duhet durim, sepse problematika shumë komplekse e kësaj sëmundjeje, ndikon në kohën e vendimmarrjes nga specialistët e palës tjetër, për të përcaktuar strukturën spitalore dhe ekipin më të përshtatshëm mjekësor për këtë rast shumë të rrallë”, shtoi ai.

Rama u shpreh se vajza ndodhet aktualisht në Stamboll.

“Sidoqoftë Elona para pak ka mbërritur në një spital privat në Stamboll dhe në çdo rast, të gjitha shpenzimet për kurimin e saj, do t’i mbulojë Qeveria Shqiptare.”

“Uroj megjithë zemër që vogëlushja të kthehet shëndosh e mirë në Shqipëri”, ka qenë reagimi i Kryeministri Rama, lidhur me situatën e fundit të adoleshentes. /a.m/noa.al