Transmetuar më 19-08-2019, 11:54

Është bërë konstituimi i Këshillit Bashkiak Shkodër, në ambientet e bibliotekës së Universitetit.

Ashtu siç kishte lajmëruar dega e Partisë Demokratike Shkodër ka organizuar protestë, bashkë me mbështetësit e saj.

Gjatë protestës ka patur momente tensioni dhe përplasje me policinë, në tentativë për të hyrë brenda bibliotekës.

Demokratët u mblodhën përpara prefekturës, nga ku bën marshim protestë drejt vendit ku u bë konstituimi i Këshillit Bashkiak, ku dhe pati konfrontime të forta dhe shtyrje me policinë.

Disa të rinj e të reja të Shkodrës shprehën kundërshtimin për uzurpimin e paligjshëm të Bashkisë së Shkodrës nga PS nëpërmjet një gjesti simbolik. Ata rrethuan Bibliotekën e Universitetit, me një shirit të verdhë, nga ata që përdor policia në skenat e krimit.

Për të rinjtë e Shkodrës është krim që Bashkia e tyre të drejtohet nga persona pa legjitimitet dhe që përfaqësojnë pakicën e pakicës në Shkodër.

Konstituimi i këshillit vjen në një kohë kur kandidati socialist fitues për Bashkinë Shkodër, Valdrin Pjetri u dorëhoq.

Kjo pasi nga disa dokumente të publikuara nga Partia Demokratike, Valdrin Pjetri rezulton i dënuar në Itali për trafik droge.

Kryeministri Edi Rama deklaroi pas kësaj se fshehja e dënimit është një akt i patolerueshëm dhe se deri sa të zbardhet e vërteta ligjore, PS dhe Pjetri i kanë rrugët e ndara. /a.y/noa.al