Transmetuar më 18-08-2019, 11:00

Edhe pak punë dhe Arena Kombëtare është thuaje gati!

Pas Kryeministrit, ka qenë sot radha e Kryebashkiakut të Tiranës që të japë pamjet më të fundit mbi punimet dhe përfundimin e stadiumit të ri Kombëtar, që u ngrit në mitikun “Qemal Stafa”.

Ajo që bie në sy është fakti se presidenti Armand Duka, ka heshtur deri tani, në një kohë kur FSHF nxori në shitje emrin e stadiumit, madje la edhe afat për ofertat, 15 gushtin, afat që ka skaduar.

Veliaj e ka pagëzuar me emrin “Arena Kombëtare”, ashtu siç Rama e kishte pagëzuar kur nisën punimet për ndërtimin e tij.

E ka nisur me këtë të diel me këtë mesazh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duke e shoqëruar edhe me një galeri fotosh që tregojnë punimet mbi përfundimin e punimeve të ish-stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”.

Vetëm dy ditë më parë Kryeministri Edi Rama bëri publike foto të tjera, duke njoftuar mbi përfundimin e punimeve, por pa i vënë emër stadiumit të ri.

“Edhe pak…|

“Ju kam thënë që s’do të ketë në rajon të dytë si ky dhe do jetë mes stadiumeve më të bukur të Europës

(Po jo vetëm kaq, ju kam thënë edhe që ata që shanin e bërtisnin, pse po prishej karakatina e vjetër, do maskohen si tifozë të huaj kur të hyjnë në stadiumin e ri, se do u vijë zor nga budallallëqet e nga pisllëqet që u ka nxjerrë goja)”

“Dhe ky s’do jetë vetëm një tempull kuqezi për Kombëtaren, as vetëm një stadium për të dielat e futbollit, po një qendër e re graviteti social për Tiranën, me aktivitet ekonomik, sheshe përreth e hapësira publike për të gjitha moshat.”

(Hë tani, hopa grupi shurupi, filloni e hidhni romuze e lëshoni fjalë pa lidhje, se në fakt ishim më mirë kur ishim më keq dhe e ka fajin populli, që i pëlqen këto fasada e që gënjehet me këto reklama”, ishte mesazhi i dy ditëve më parë nga Kryeministri Edi Rama.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili pretendoi se qeveria nuk ka dhënë as paratë e premtuara për ndërtimin e tij, çuditërisht ka heshtur këto ditë.

/a.m/noa.al