Transmetuar më 17-08-2019, 13:00
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Shkodrës i koduar “Lisen”, ka goditur një rast të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, duke sekuestruar 60 kilogramë kanabis sativa.

Pasditen e djeshme, e premte, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirëorganizuar, u arrestua në flagrancë Petrit Frroku, 38 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Vau i Dejës dhe u proceduan penalisht shtetasit E. M., A. F., dhe Z. P., të tre banues në fshatin Gomsiqe.

Mbi bazën e informacioneve se të dyshuarit kishin fshehur në fshatin Lisen, në një zonë të pyllëzuar lëndë narkotike, policia ushtroi kontroll duke bërë të mundur gjetjen e një sasi prej 60 kg lëndë narkotike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjatë krehjes së zonës, në momentin që policia është afruar tek vendi ku u gjet lënda narkotike, shtetasi Petrit Frroku, ka tentuar të largohet, por është kapur nga shërbimet e policisë gjatë ndjekjes.

Lidhur me këtë rast për veprime të mëtejshme, materialet iu referuan Prokurorisë Shkodër për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /a.y/noa.al