Transmetuar më 17-08-2019, 10:25

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Maskimi”, ka vënë në pranga një person i cili akuzohet se vidhte me armë markete dhe pika rimbushje telefonike.

Efektivët e komisariatit Nr.2 në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe me forcat policore të Komisariatit të Policisë Nr. 3 , finalizuan operacionin policor “Maskimi”, duke arrestuar 27-vjeçarin E.B., banues në Tiranë.

Nga hetimet e kryera, të dokumentuara edhe me pamje filmike, dyshohet se i riu nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë ka kryer disa vjedhje si një market në rrugën “Naim Frashëri”, një pike rimbushje telefonike në rrugën e Durrësit, si dhe dyshohet edhe në një pikë dhënie kredie në zonën e Zogut të Zi.

Në momentin e arrestimit të së premtes, gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me të cilën dyshohet të ketë kryer vjedhjet si dhe rrobat që kishte përdorur në realizimet e vjedhjeve bashkë me kapelet.

Aktualisht vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera kriminale ku ky shtetas mund të jetë i implikuar.

Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja me armë”. /a.y/noa.al