Transmetuar më 16-08-2019, 20:09

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nënshkruar sot një kontratë me banorët e zonës së "Unazës së Re" në Tiranë.

Kjo marrëveshje synon mbështetjen e Partisë Demokratike për qytetarët, banesat e të cilëve janë parashikuar të shemben për t’i hapur rrugë projektit të ndërtimit të "Unazës së Madhe".

Duke e konsideruar kriminale prishjen e tyre për shkak të projektit korruptiv dhe pa u siguruar një shpërblim të drejtë, PD angazhohet për dy masa emergjente, rishikimin e projektit, dëmshpërblimin sipas çmimit të tregut.

“Brenda 2 muajve nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita e bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të rishikojë projektin e zgjerimit të Unazës së Re dhe devijimit të Lumit Lana, si dhe, në përputhje me interesin publik, do të ndërmarrë çdo masë që është e nevojshme për të siguruar zhvillimin e zonës sipas interesit të komunitetit dhe dëmshpërblimin, sipas çmimit të tregut, të çdo prone private që preket nga projekti i rishikuar”, thuhet në kontratën e firmosur nga kreu i opozitës Lulzim Basha dhe banorët e Unazës së re si edhe Lumit të Lanës, në pjesën ku ai do të devijohet.

Për ta konsideruar si pronë që dëmshpërblehet me çmimin e tregut, PD  angazhohet që në momentin kur do të jetë shumicë qeverisëse, do t’i vlerësojë banesat e ndërtuara në zonën e Unazës së Re sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. /k.k/noa.al/