Transmetuar më 16-08-2019, 13:30

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit iu ndërpret aktivitetin dhe gjobit me 2.9 milionë lekë të reja, tre subjekte, pastiçeri dhe market pa licencë, pa kushte higjieno-sanitare që tregtonin produkte të pasigurta.

Gjatë kontrolleve dhjetëra kilogramë produkte të pasigurta dhe një mjet tregtimi uji u bllokuan.

Drejtoritë Rajonale të AKU, qarku Tiranë dhe Fier ushtruan kontrolle në tre subjekte, me aktivitet “Pastiçeri”, “Minimarket ushqimor” dhe “Njësi prodhimi dhe tregtimi buke, prodhime brumi dhe pastiçerie”, nga ku u konstatua: ushtrim aktiviteti i palicencuar, kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HAÇP, raport analiza), veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit, tregtim i produkteve me afat përdorimi të kaluar, si dhe etiketim i parregullt i produkteve.

Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat administrative si në vijim 9 masa administrative “Gjobë” me vlerën totale 2 900000 lekë për tre subjektet.

Po ashtu edhe “Bllokim i produkteve” të pasigurta për konsum human për një subjekt, si dhe “Ndërprerje e menjëhershme e aktiviteti” për dy subjekte. /a.y/noa.al