Transmetuar më 15-08-2019, 16:22

Valdrin Pjetri, kanditati socialist për Bashkinë e Shkodrës, dorëhiqet nga marrja e postit të kryetarit të këtij institucioni.

Përmes një letre të hapur, ai ka sqaruar se e ka marrë këtë vendim pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike.

Ai shkruan se do ta ndjekë këtë çështje si qytetar i thjeshtë.

“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor ta ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”, shkruan Pjetri.

Ngjarjen për të cilën ai akuzohet e quan banale, të ndodhur në kohën kur ishte student.

“Ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës.

Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor”, shkruan Pjetri.

Ai nënvizon më tej se, në kushtet kur vetë, por dhe familja e tij po përballen me një situatë të tillë, do ta çojë deri në fund çështjen.

“Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajësinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qenë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem.

Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, vijon Pjetri. /k.k/noa.al/