Transmetuar më 25-07-2019, 15:51

Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re, që njihet me emrin “Qasja e Tiranës”.

Ajo parashikon që bizneset që kanë marrë kredi në më shumë se një banke me vlerë mbi 250 milion lekë, do të kenë mundësi të rinegociojnë me bankat përkatëse të mbështetur edhe nga ajo qendrore, me qëllim tejkalimin e situatës së vështirë financiare dhe shmangien nga falimentimi.

20 kompani të mëdha në vend, që mbajnë peshën kryesore të kredive me probleme, do të kenë mundësi ristrukturimi të huave që kanë marrë.

“Ideja është që një kreditor i ekspozuar në më shumë se një bankë që ka marrë një shumë të konsiderueshme hua, të mos shkojë direkt në falimentim apo të konsiderohet një kredimarrës plotësisht i keq, por nëpërmjet bashkëpunimit me bankat të shikohet mundësi e ringritjes, të ndihmohet në të gjitha mënyrat e mundshme që të vijojë biznesin, por duke i ofruar lehtësira si zgjatjen e afatit të kredisë, ndonjë mundësi rifinacimi qoftë në kapital. Pra kemi të bëjmë me një ndihmesë mes kredimarrësit dhe huadhënësit që ndodhet në vështirësi financiare”, –thotë Spiro Brumbulli, sekretar i shoqatës së bankave.

Deri më tani nuk kishte një rregullim ligjor për kreditorët e këqij që rezultojnë me më shumë se një kredi. Dokumenti i ri synon që të ulë më tej huatë me probleme të cilat aktualisht janë në nivelin e 11 %.

Ky veprim është për të bërë përpjekjen e fundit dhe të mos na mbetet merak pse nuk bëmë këtë apo atë gjë, para se biznesi të falimentojë dhe përpara se ato para të quhen të humbura. Kjo rregullore do të synojë që të ulen kreditë e këqija nën dy shifra.

Shoqata e Bankave pritet të konkretizojë edhe nismën për krijimin e byrosë së kredisë. Kjo byro, në ndryshim nga regjistri i kredisë që administron Banka Qendrore, parashikohet të mbledhë informacion jo vetëm për ekspozimin e huamarrësve në banka, por edhe ndaj institucioneve të tjera si OSHEE, ujësjellës kanalizime etj me qëllim për të vlerësuar historikun e tyre të pagesës para se të aplikojnë për një kredi./a.m/noa.al