Transmetuar më 22-07-2019, 22:44

I ftuar në emisionin Pressing në T7, Kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj, ka folur rreth mundësisë që pas kthimit të tij nga Haga, të kandidojë për ta rimarrë postin e Kryeministrit të vendit.

Haradinaj ka thënë se nëse në Gjykatën Speciale nuk ka aktakuzë të ngritur, do ta kërkojë të drejtën e tij për ta marrë mandatin të cilin thotë se ia ka kthyer popullit.

“Nëse nuk kam aktakuzë të ngritur, nëse shkoj vetëm në intervistim dhe kthehem, do t’i afrohem popullit, pra peng nuk e mbaj veten as Kosovën. Nëse nuk kam aktakuzë, unë e kërkoj të drejtën me e marrë punën, sepse këtë punë ia kam kthyer popullit, një ditë ia kërkoj prapë. Unë s’po bëj standarde të dyfishta.

Unë nuk jap dorëheqje prej qejfit, por nuk besoj që do të ketë aktakuzë më. Nisem prej asaj se s’do të kem, sepse i kam përfunduar dy procese gjyqësore”, ka thënë Haradinaj në Pressing.

Ndërkaq ai e ka komentuar edhe një herë dorëheqjen e tij, duke thënë se nuk ka mundur të lejojë që ta çojë në Hagë Kryeministrin e vendit.

Gjatë intervistës Haradinaj u shpreh se ende nuk ka marrë një mesazh nga Edi Rama.

“Kam marrë shumë shkresa prej kryeministrave të rajonit, por jo prej Edi Ramës. Prej Shqipërisë më kanë shkruar presidenti Berisha, Moisiu, presidenti Meta ishte këtu, etj”, ka deklaruar Haradinaj në televizionin T7.