Transmetuar më 17-07-2019, 20:41

 

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e ka cilësuar skandaloz vendimin e gjykatës së Durrësit për mosnjohjen e mandatit të përfaqësueses socialiste në bashki, Valbona Sako.

“Keqardhje për vendimin absurd, arbitrar dhe nul te një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre qe në vijim të përpjekjes së dëshpëruar për kaos e pasiguri, nuk dinë më çfarë bëjnë”, theksoi ai, ndërsa  shtoi se pavarësisht kësaj lajthitjeje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, “në respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon”.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Durrësit, që shpalli të pavlefshëm procesin e 30 qershorit, duke rrëzuar kërkesën e përfaqësueses socialiste që fitoi në këtë bashki, Valbona Sako, për njohjen e mandatit, ka reaguar edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Në një postim në Facebook, Kryemadhi shkruan se vendimi i gjykatës tregoi se KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike.

Ajo thekson se çdo vendim i KQZ që vjen pas këtij të Gjykatës së Durrësit është nul.

“Thjesht e saktë pa tambure politike. Vendimi i Gjykatës së Durrësit vetëm teknikisht tregoi se që në krye të herës, që në hapin e saj të parë procedural e administrativ, atë të regjistrimit të subjekteve zgjedhore KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike, dhe gjithë veprimtaria e vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative”.

Kryemadhi ngre pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi për dëmin ekonimik që i është shkaktuar vendit.  Ajo i kërkon Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme, Arta Marku të hapë çështjen për “Shpërdorim detyre” në ngarkim të anëtarëve të KQZ

“Kush do të mbajë përgjegjësi tani për të gjithë dëmin ekonomik, juridik, moral, të krijuar nga veprimtaria e paligjshme e KQZ?”, shtroi pyetjen Kryemadhi. /a.m/noa.al/