Transmetuar më 17-07-2019, 14:33

Gjykata e Rrethit të Durrësit nuk i ka dhënë mandatin e kryebashkiakes, kandidates së Partisë Socialiste, Valbona Sako, e cila u shpall fituese në votimet e 30 qershorit.

Vendimi është marrë mesditën e sotme nga gjyqtarja Mimoza Margjeka.

Gjykata e Durrësit, duke rrëzuar kërkesën e kandidates së Partisë Socialiste, Valbona Sako, në vendimin e saj ka argumentuar se procesi zgjedhor i 30 qershorit nuk është i ligjshëm, dhe për rrjedhojë zgjedhjet në këtë bashki janë nul.

Ky vendim u mor ditën e sotme nën argumentin se Bindja Demokratike është regjistruar në këtë qark, pas përfundimit të afatit të regjistrimit në KZAZ.

Kjo pasi Gjykata deklaroi se Bindja Demokratike, është regjistruar më 25 prill, në një kohë që kishte përfunduar afati për regjistrimin e subjekteve zgjedhore.

Sako kishte bërë kërkesën në Gjykatën e Durrësit për konfirmimin e mandatit si kryebashkiake, por kërkesa u rrëzua.

Gjykata ka renditur tre arsye përse nuk e pranon Sakon si kryebashkiaken e re të Durrësit.

Në vendim konsiderohen të pavlefshme: 1- Regjistrimi i Bindjes Demokratike për zgjedhjet e 30 qershorit;

2- Përmbajtja e fletës së votimit për kandidatët për kryetarë bashkie;

3- Vendimi i KQZ-së për rezultatet e votimit në Durrës. /a.y/noa.al