Transmetuar më 17-07-2019, 14:00

“Diskutuam për ndërtimin e strategjisë afatshkurtër dhe afatmesme për zgjedhjet e qershorit 2021, si afatshkurtër gjithë procesin e brendshëm të zgjedhjeve të PS, dhe afat mesëm kombinuar me gjithë procesin e planifikimit dhe administrimit të gjithë territoreve që tanimë i janë besuar drejtuesve socialistë në bashkitë e Republikës”.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, ku tha se kanë diskutuar hapur dhe nuk është përtuar tërheqja e veshit njeri-tjetrit.

Ai shtoi se janë ballafaquar me gjithë elementët që janë vënë në tavolinë për të adresuar por edhe përgjegjësitë që secili ka për të vijuar këtë proces, për ta zhvilluar para vitit të ri politik që fillon në shtator.

Ai shtoi se Partia Socialiste ështënjë organizatë që funksionon në bazë strategjie dhe hap pas hapi vijnë edhe lëvizjet taktike.

“Kemi dakordësuar se është shumë e rëndësishme të ngremë në një nivel të ri dialogun me të gjithë, qytetarët, sipërmarrjen, njerëzit e zakonshëm në çdo sektor, pavarësisht përkatësime politike, dialogun e brendshëm në parti që do të nisë shumë intensivisht edhe në funksion të zgjedhjeve në çdo organizatë dhe forumet e reja të partisë, por edhe dialogun me opozitën parlamentare dhe atë jashtëparlamentare. Ne jemi absolutisht të disponueshëm për tu ulur në tryezë me të gjithë dhe për të diskutuar për sfidat e vendit dhe për çka qëndron në funksion të rregullave të lojës”, u shpreh Rama.

Sa i takon Kushtetutës, deklaroi se ligjshmëria nga njëra anë, dhe mandati qeverisës nga ana tjetër, nuk janë çështje që janë në diskutim me askënd tjetër, por lidhen me detyrimet e shumicës, “që do i mbajnë me nder dhe dinjitet për të qeverisur deri në vitin 2021”.

I pyetur lidhur me propozimin e Presidentit Ilir Meta që në 13 tetor të mbahen tre palë zgjedhje, ato vendore, ato parlamentare, dhe ato Presidenciale, Rama tha se zgjedhjet janë bërë në 30 qershor dhe se tashmë janë shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore.

Në këtë drejtim shtoi se për këtë janë ngritur tre këshilla, për rajonin verior të drejtuar prej vetë tij, për rajonin e mesëm nga Taulant Balla dhe për atë jugor nga Gramoz Ruçi.

Rama tha se sfida e socialistëve është me problemet e njerëzve dhe vendit dhe jo me problemet e brendshme të opozitës jashtëparlamentare apo Presidencës.

“13 tetori për mua është një datë e zakonshme, njolloj si 14 tetori, 6 nëntori etj., pra është një e diel si gjithë të tjerat që kemi përpara. Filozofia ime dhe e jona, ka qenë dhe mbetet të mos flemë mbi dafina. Çdo fitore, si dhe ajo e 30 qershorit, nuk është një arsye për të mbyllur sytë para problemeve apo ulur ritmin, por është një arsye për të gjetur të gjithë pikat e dobëta që duhen forcuar dhe për tu përmirësuar më tutje, asnjëherë unë nuk kënaqem me asnjë rezultat as të partisë dhe as qeverisë, pasi kërkojmë vetëpërmirësim”, deklaroi ndër të tjera Edi Rama. /a.y/noa.al