Transmetuar më 16-07-2019, 21:43

Kryetari i Këshillit rajonal për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Komunën e Mitrovicës, Halit Barani, ka publikuar disa fotografi të shqiptarëve të keqtrajtuar nga pushtuesi serb, pak vite para luftës dhe para se Kosova të shkëputej nga Serbia.

Gjithashtu, përmes një postimi ai ka publikuar edhe emrat edhe ngjarjet që iu kanë ndodhur shqiptarëve,  si rrahjet, plaçkitjet, dhunimet barbare nga serbët në vitin 1997, dy vjet para ndërhyrjes së NATO-s, që i dha fund genocidit dhe terrorit.

Postimi i plotë i Halit Baranit:

Më 15.III.1997, në orën 1330, dy inspektorë serbë të SPB – së, njëri prej tyre Zharko Kosovac, në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, e arrestojnë Afrim (Ajet) Haxhën (25) dhe Ramë Bajramin (22), banorë të lagjes “Ilirida” të Mitrovicës, të cilët i dërgojnë në SPB, ku i mbajnë një orë, duke i keqtrajtuar fizikisht në mënyrën më barbare, me pretekst se nuk e kanë njoftuar policinë se me çfarë veprimtarie merren.

Më 20.III.1997, në orën 930, dy policë serbë shkojnë në lagjen “Kroi i Vitakut” të Mitrovicës, ku arrestojnë Avdyl Ramën (46) dhe djemtë e tij, Safetin (25) e Nysretin (20), të cilët në SPB – në e Mitrovicës i mbajnë dy orë dhe tentojnë me dhunë t’i detyrojnë që të nënshkruajnë deklarata se ata posedojnë armë. Pasi ata nuk pranojnë të nënshkruajnë asgjë pa dëshirën e tyre, policët i keqtrajtojnë fizikisht në mënyrën më barbare, kështu që i dërmojnë plotësisht dhe ashtu të dërmuar i lirojnë, me kusht që të paraqiten të nesërmen prapë në polici dhe me vete të sjellin nga një armë.

Më 23.III.1997, në orën 1400, dy policë serbë shkojnë në fshatin Vaganicë të Mitrovicës, në shtëpinë e Isuf (Zymer) Barkut (20), të cilin e arrestojnë dhe në polici e mbajnë dy orë, duke e keqtrajtuar fizikisht, me pretekst se ai e ka dëmtuar rrugën e shtetit.

Më 24.III.1997, organet policore serbe e ndalojnë shfaqjen e një pjese teatrale të Teatrit të Qytetit “Sandër Prosi” të Mitrovicës, edhe pse drejtorit të dhunshëm të Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, Velimir Matanoviq, i kishin paguar 600 din. për shfrytëzimin e sallës, 12 ditë më herët.

Prej 31.III.1997 deri më 3.IV.1997, shumë inspektorë sanitarë dhe të tregut (së paku kështu paraqiten), të cilët erdhën nga qytete të ndryshme të Serbisë në Mitrovicë, plaçkitin shumë pronarë shqiptarë të dyqaneve të ndryshme dhe të firmave. Kështu, ndër shumë të plaçkitur janë edhe Lulzim Halili, pronar i restorantit “Liburnia”, të cilit ia plaçkitin 10.000 din., Murat Carabregu, pronar i restorantit “Okarina” – 5600 din., Qebaptorja “Apetit”, pronë e Agim Fetahut – 640 din. etj. Automjetet, me të cilat erdhën këta serbë nga Serbia, mbanin targat me regjistrim të qyteteve të ndryshme të Serbisë: BG, KV, NS, LE, etj.

Vetura e markës “Opel kadet”, me targë BG- 389-230, në të cilën ishin tre serbë, të cilët plotë shtatë (7) orë e kontrolluan firmën “G.B. Commerc”, pronë e Gani (Bajram) Baranit, bartte plaçkitësit që këtij ia plaçkitën 1500 DM. dhe që e kërcënuan se prapë do ta plaçkitin.

Më 12.IV.1997, në orën 1930, në Aeroportin e Prishtinës, policia serbe arreston Enver (Bajram) Mëziun (23), banor i lagjes “Bair” të Mitrovicës, i cili po kthehej nga Gjermania në vendlindje për pushim. Enveri e posedonte gjithë dokumentacionin në mënyrë të rregullt. Pasi e mbajnë një natë në aeroport, e kthejnë prapë në Gjermani, me pretekst se, sipas policisë serbe, marrëveshja në mes të Jugosllavisë dhe Gjermanisë është që shqiptarët të kthehen në mënyrë të organizuar.

Më 17.IV.1997, në orën 945, dy policë serbë, me veturën e tipit “Zastava”, e cila mbante targat M – 618 – 404, në mënyrë arrogante e arrestojnë Hysni (Mursel) Istrefin (14) nga fshati Bajgorë i Shalës së Mitrovicës, me vendbanim të përhershëm në Shipol. Policët e dërgojnë në SPB, ku e mbajnë një orë. Aty e rrahin në mënyrën më barbare dhe në fund ia plaçkitin 150 din. dhe 40 pako cigare. Vlen të ceket se Hysniu ishte nxënës dhe me shitblerjen e cigareve ishte i shtyrë të merrej në mënyrë që të siguronte kafshatën e gojës për shtatë (7) anëtarët e familjes së tij dhe për blerjen e teksteve shkollore.

Të njëjtën ditë, të njëjtit policë e arrestojnë Agim (Sumir) Berishën (42), banor i lagjes “Ura e Gjakut” të Mitrovicës, të cilin në polici e mbajnë dy orë, duke e keqtrajtuar fizikisht e ku ia plaçkitin edhe 360 DM dhe 250 din., pa i lëshuar kurrfarë dëshmie për paratë e plaçkitura. Në fund i thonë: “Shko në shtëpi dhe prite ftesën për në gjyq, që duhet të mbahet në Titograd, ku ti do të përgjigjesh për bartje të devizave”.

Më 25.IV.1997, në orën 800 të mëngjesit, tetë policë dhe tre inspektorë serbë të SPB – së shkojnë në lagjen “Ura e Gjakut” të Mitrovicës, në shtëpinë e Ramadan (Bahtir) Bilallit (37), ku e kërkojnë atë. Pasi ai nuk gjendej në shtëpi, policët shkojnë në fshatin Fushë-Ibër, ku Ramadani ishte duke punuar si punëtor krahu. Policët e arrestojnë dhe e dërgojnë në shtëpi, me ç’rast ia bastisin shtëpinë, me pretekst të kërkimit të armëve. Pasi nuk gjejnë armë, së bashku me Ramadanin shkojnë në lagjen “Bair”, në shtëpinë e vëllait të tij, Shaban (Hajdar) Bilallit (33), me ç’rast bastisin edhe shtëpinë e tij, ku në shtëpi ndodhej vetëm bashkëshortja e Shabanit dhe dy fëmijë të mitur. Policët këtu nuk gjejnë asgjë, por e marrin pasaportën e vëllait të Shabanit, Bajramit. Ndërkohë, gjatë bastisjes, Shabani kthehet në shtëpi, ku policët prej tij kërkojnë një revole, të cilën ai ua dorëzon menjëherë. Në fund, i arrestojnë Shabanin dhe Ramadanin dhe bashkë me ta shkojnë dhe e arrestojnë edhe vëllain e tyre Zeqirin (39), i cili ishte duke punuar në shkollën fillore “Ismail Qemali”. Që të tre i dërgojnë në SPB, ku i mbajnë një orë e gjysmë, duke i keqtrajtuar fizikisht me shufra gome, shqelma dhe grushte. Në fund i lirojnë, me kusht që të paraqiten prapë në polici më 29.IV.1997.

Pushteti i instaluar serb, deri në fillimin e luftës në Kosovë, vazhdoi me avazin e vjetër, duke ushtruar dhunë mbi arsimin shqip.

Kështu, më 28.IV.1997, në orën 1200, në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Mitrovicë, kur ishte ndërrimi i nxënësve shqiptarë, drejtori i dhunshëm, Andria Vukomanoviq e kishte shkruar një letër, të cilën e kishte vendosur në xhamin e derës së korridorit të shkollës, ku në cirilikë shkruante: “Njoftohen të gjithë arsimtarët, punëtorët ndihmës dhe nxënësit, të cilët e zhvillojnë mësimin në gjuhën shqipe se shkolla nuk do të punojë prej 25.IV – 5.V.1997 për shkak të festës së Pashkëve dhe të 1 Majit”. Arsimtarët dhe nxënësit shqiptarë u kthyen nga kishin ardhur, ngase, përveç shkresës në derë, edhe dyert ishin të mbyllura.

Nga drejtorët e dhunshëm të shkollave fillore u penguan dhe nuk u lejuan të zhvillojnë mësim as nxënësit e shkollave “Nonda Bulka”, “Andon Zako Çajupi” dhe “Muharrem Bekteshi”. Në të gjitha këto shkolla fillore, mësimet i zhvillojnë, përveç nxënësve shqiptarë, edhe ata serbë dhe në to, përveç drejtorëve shqiptarë, pushteti i dhunshëm ka vendosur edhe drejtorë të dhunshëm serbë.

Më 7.V.1997, në Stantërg të Mitrovicës, nga presioni që u ushtrua mbi të nga pushtuesi serb, bëri vetëvrasje Naser (Halim) Ferizi (25), të cilin policia e kishte arrestuar dhe e kishte keqtrajtuar fizikisht më 5.V.1997 dhe e kishte detyruar që prapë të paraqitet më 6.V.1997, ku ai ishte paraqitur dhe prapë e kishin keqtrajtuar fizikisht dhe pas dy orësh e kishin liruar me kusht që prapë të paraqitet më 7.V.1997. Naseri kishte vendosur që mos të paraqitet më në polici dhe në orët e hershme të mëngjesit, të datës 7 maj, e kishte var veten.

Jo rrallë ka ndodhur kur femrat shqiptare, posaçërisht të moshuarat, janë alivanosur (kanë humbur vetëdijen) kur kanë parë forca të shumta policore duke ua rrethuar shtëpitë dhe duke ua arrestuar meshkujt. Kjo ndodhte nga përvoja e hidhur, sepse, në shumë raste, kur bastiseshin shtëpitë, keqtrajtoheshin të gjithë anëtarët e familjeve, ndërsa kur arrestoheshin nuk dihej se a ktheheshin më në shtëpi a jo dhe edhe nëse ktheheshin nuk dihej se në çfarë gjendje ktheheshin.

Kështu, më 22.V.1997, në orën 900, disa policë serbë shkojnë në fshatin Koshtovë e Bobit të Mitrovicës, në shtëpinë e Sadri (Zenë) Dibranit (60), ku ia bastisin shtëpinë me pretekst të kërkimit të armëve. Dy policë, me automatikë në dorë, hyjnë rrëmbimthi në dhomën ku ishte bashkëshortja e Sadriut, të cilës ia drejtojnë tytat e automatikëve dhe ajo menjëherë alivanoset. Policët e bastisin dhomën, dalin dhe e arrestojnë Sadriun, të cilin e dërgojnë në SPB – në e Mitrovicës, ku e mbajnë katër orë, duke e keqtrajtuar fizikisht, me pretekst se, sipas policëve, ai e ka një pushkë italiane, të cilën duhet ta dorëzojë. Pas pesë orësh, kur Sadriu kthehet në shtëpi, e gjen bashkëshorten të shtrirë në shtrat, të cilën menjëherë e dërgon në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, ku iu desh të qëndrojë për mjekim mbi dy javë./a.m/noa.al/