Transmetuar më 15-07-2019, 13:06

Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e shtatë të arrestuarve për super-grabitjen e 9 prillit në aeroportin e Rinasit.

Kështu gjykata rrëzoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë duke lënë në fuqi “arrest me burg”, për Saimir Çelën, Oltian Veselin, Ragip Hajdinin, Renaldo Sulën dhe Elton Pikli.

Ndërkohë gjashtë të pandehurit kanë kërkuar ballafaqim me Alkond Bengasin, i cili po bashkëpunon me drejtësinë dhe që nuk ishte në seancë.

Sakaq Policia e Shtetit ka ofruar një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion me qëllim kapjen e tre personave të shumëkërkuar si organizatorë të grabitjes së Rinasit, vëllezërit Klement dhe Eldi Çala si dhe Talo Çelën i dyshuar si bashkëpunëtor.

Grabitja e thasëve me para ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me pesë persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.

Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, mbeti i vrarë Admir Murataj. /a.y/noa.al