Transmetuar më 14-07-2019, 14:15

Pesë persona janë ndaluar nga Policia e Vlorës, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Në qytetin bregdetar u prangos 34-vjeçari G.S, për të cilin gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

Ndërkaq, në fshatin Peshkëpi të Selenicës, është arrestuar një 56-vjeçar me inicialet H.B. Ky i fundit u konstatua teksa kishte mbjellë disa rrënjë kanabisi në banesë.

Po ashtu, një 30-vjeçar është vënë në pranga. A.D, është kapur duke vjedhur një dyqan kozmetik në lagjen “Isa Boletini”.

Policia njofton se është kapur edhe një 50-vjeçar nga Tirana, E.Z, i cili u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Edhe një person nga Saranda është ndaluar pasi u konstatua duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi.

M.A, 32vjeç pësoi edhe aksident, për fat të mirë pa pasoja. /k.k/noa.al/