Transmetuar më 13-07-2019, 11:46

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Lugina 2”, ka parandaluar kultivimin e kanabisit në një zonë të pyllëzuar, duke vënë në pranga dy vëllezër dhe duke shpallur në kërkim të tretin.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për disa persona që përgatiteshin për të kultivuar bimë narkotike në zonën e quajtur “Përroi i Bllomes” në pyllin e fshatit Mënik është organizuar operacioni.

Kështu pasditen e kësaj të premteje, u bë arrestimi në flagrancë i M. G., 17 vjeç, T. G., 35 vjeç, si dhe është shpallur në kërkim vëllai i tyre E. G., 37 vjeç, banues në Mënik, Ndroq.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë kryeplaku i njësisë administrative Ndroq, S. B., 61 vjeç, banues në fshatin Mënik.

Gjatë operacionit në territor në vendin e quajtur “Përroi i Bllomes”, në pyllin e fshatit Mënik në Njësinë Administrative Ndroq u evidentuan 60 fidanë kanabis të kultivuara në tokë.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim” dhe “Moskallëzim krimi”. /a.y/noa.al