Transmetuar më 09-07-2019, 14:03

Deklarata e Presidenti Ilir Meta për njohje të Kosovës, teksa mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës, ka ngjallur reagimin e Kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiç.

Kryeministrja e ka cilësuar si provokim deklaratën e bërë nga kreu i shtetit shqiptar.

“Në këtë tryezë ka disa vende që nuk e njohin Kosovën, dhe unë sugjeroj që të mos ketë përplasje për këtë çështje mes shteteve të tjera. Më vjen keq që përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme të Prishtinë nuk janë këtu. Kjo tregon se çfarë bashkëpunimi dëshiron Prishtina”, është shprehur Brnabiç.

Kjo pasi në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta, shprehu keqardhjen që kryesuesja e radhës së këtij procesi, Republika e Kosovës, nuk është e pranishme në këtë Samit.

Ai vuri në dukje se. “Tashmë është koha e duhur që Bosnja dhe Hercegovina, e jo vetëm, të bëjnë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të realitetit. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj.”

Po ashtu Meta shprehu besimin se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Trojkën e SEECP-së, do të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, forcimit të dialogut politik si dhe përmirësimit të situatës së përgjithshme të sigurisë në rajon.

“Si mund të pretendojmë që të kemi një bashkëpunim të efektshëm ku disa nga pjesëmarrësit e këtij forumi bëjnë të pamundurën për të përjashtuar një popull dhe një shtet të tërë fqinj nga përfitimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale në fusha kaq të rëndësishme si siguria, arsimi, kultura, etj. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respekti i ndërsjellë janë thelbësore për të pasur një bashkëpunim të efektshëm rajonal, për sigurinë dhe begatinë ekonomike për të gjithë ne. Kështu që tani është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti”, deklaroi Ilir Meta.

Sipas tij, thelbësor është përparimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin integrues për në Bashkimin Europian. /a.y/noa.al

Meta në samitin e SEECP: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, të trajtohet me respekt