Transmetuar më 07-07-2019, 08:49

Partitë politike mbyllën fushatat elektorale në Greqi, duke i lënë vendin kështu heshtjes zgjedhore.

Qytetarët nisën këtë të diel ti drejtohen kutive të votimit, të dyzuar mes pakënaqësive të mëdha ndaj Qeverisë së kryeministrit Aleksis Tispras për shkak të marrëveshjes për emrin me Maqedoninë Veriore dhe shpresës për një ndryshim të mundshëm.

Pikërisht ky ndryshim mund të rezultojë një zhvillim jo i mirë për Shqipërinë, por edhe për emigrantët tanë në Greqi.

Një fitore e Demokracisë së Re, e cila parashikohet nga të gjitha sondazhet, do të bllokonte hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Lideri opozitar Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi gjatë fushatës elektorale vendosjen e vetos ndaj integrimit të Shqipërisë.

Në përmbyllje të fushatës, ai tha se kërkon një mandat për të bashkuar vendin me një plan real.

“Mbrëmjen e 7 korrikut do të jem Kryeministër i Greqisë dhe i të gjithë grekëve”, tha ai.

Pavarësisht se sondazhet i japin Demokracisë së Re një fitore me mbi 33% të votave, ende nuk dihet nëse kjo forcë politike mund të qeverisë e vetme.

Mitsotakis ka bërë me dije se nëse nuk arrin një mazhorancë të plotë, ai do të kërkojë zgjedhje të reja.

Nga ana tjetër kryeministri Tsipras është i vetëdijshëm për humbjen e votave të shumta dhe shpreson në një mrekulli dhe në aleancën me PASOK. “Ne po kërkojmë një mandat të plotë, jo një mundësi të dytë, por një shans të parë për të qeverisur me programin tonë, pa trojkën mbi kokën tonë”, tha ai.

Tsipras shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas disfatës që pësoi partia e tij, Syriza, në zgjedhjet europiane dhe ato lokale.