Transmetuar më 22-06-2019, 07:47

Në hijen e zjarrit që ka ndezur politika, bizneset në vend kanë ngrirë planet për zgjerimin dhe projeksionet e investimeve. Përfaqësuesit e organizatave të biznesit pohojnë se administrata publike ka kufizuar shërbimet, bankat kanë ngrirë planet e kreditimit, ndërsa qarkullimi ka pësuar rënie. Kjo amulli politike nuk e ka ndaluar qeverinë që të firmosë në dy muajt e fundit tre kontrata koncesionare PPP, me vlerë 370 milionë euro. Kriza fiskale po thellohet nga borxhet e fshehura në buxhet, që rrezikojnë të zgjerohen nga ritmet ulëta të grumbullimit të të ardhurave. Bizneset nxjerrin nga sirtarët skenarët e funksionimit në kohë krizash. Ja fatura që politika po i pret ekonomisë…

Z jarri i konfliktit politik, edhe nëse shuhet, me prushin që do të lërë rrezikon të përvëlojë deri në kockë prosperitetin ekonomik. Politika shqiptare, as në ditët e saj më të mira, nuk shquhet për vëmendje ndaj ekonomisë. Tani që kriza e cila rrjedh prej saj ka nxjerrë jashtë funksionit sistemin e demokracisë në vend, që nga institucionet më të larta të drejtësisë, Parlamentin dhe së fundmi, besueshmërinë e sistemit zgjedhor, pasojat duket se do të jenë më të forta, kryesisht në dy rrafshe, në atë fiskal dhe në ekonominë reale.

Administrata publike është shpërqendruar prej shërbimeve që duhet të ofrojë dhe kjo po reflektohet në grumbullimin e të ardhurave buxhetore. Gjatë periudhës janar-prill, të ardhurat nga tatimet dhe doganat u rritën me vetëm me 1.7% në raport me një vit më parë. Ky ishte ritmi më i ulët që nga viti 2015. Në njoftimet rutinë, Ministria e Financave ka argumentuar se tulatja ka ardhur për shkak të krizës politike.

Në kohë krizash politike, qeveritë shqiptare e kanë zakon të firmosin me shpejtësi disa ligje dhe kontrata që ndikojnë në buxhet në periudha afatgjata dhe zakonisht nuk kanë lidhje me parimet e mira të qeverisjes. Në dy muajt e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi tre kontrata me Partneritet Publik – Privat, me vlerë më shumë se 370 milionë euro, të cilat nuk përfshihen në prioritetet kombëtare, rruga Orikum-Dukat dhe Bypass-i i Lezhës Milot-Balldren, si dhe koncesioni i shërbimit spitalor laboratorik. Vlera e këtyre kontratave është të paktën 6 herë më e lartë se fondi i brendshëm që dha buxheti i shtetit për rrugët vitin e kaluar.

Gjatë prillit u miratua edhe një kontratë tjetër koncesionare, e cila zvarritej prej dy vitesh, për shërbim laboratorik me vlerë 71 milionë euro për një periudhë 10-vjeçare. Në mbledhjen e datës 29 maj, qeveria miratoi në fshehtësi një vendim pa konsultim, me të cilin ndryshoi hartën e territoriale, duke ndryshuar kufijtë në disa bashki. Një borxh i fshehtë prej rreth 200 milionë eurosh në llogaritë e buxhetit rrezikon të zgjerohet më tej për shkak të krizës. Ndërkohë, integriteti i projekteve publike është cenuar rëndë pas zbulimit të kontratës së rreme me DH Albania me vlerë 20 milionë euro, për ndërtimin e Unazës së Re.

Në rrafshin tjetër, atë të ekonomisë reale, kriza politike po çon në paralizë aktivitetin ekonomik. Bizneset shqiptare kanë krijuar njëfarë imuniteti nga përsëritja e krizave, duke operuar me plane menaxhimi të posaçme, por në këtë periudhë, ata kanë pezulluar planet e zgjerimit, nënshkrimin e kontratave të reja dhe operojnë sa për të shmangur humbjet. Më të shqetësuarit mbeten investitorët e huaj, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve dhe sektori i turizmit që kishte nisur të zhvillohet mbi baza serioze.

Krizat politike, sado të lehta, kanë kosto që në fund fare i faturohen biznesit, thotë Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë. Administrata është shpërqendruar nga shërbimet, burokracia është shtuar, bankat pezullojnë planet për kreditimin në këto periudha. Mungesa e produktivitetit të administratës dhe ulja e ritmeve të aktivitetit të biznesit mund të përkthehet në një krizë fiskale, pasojat së cilës do të kenë efekte në periudha afatgjata, – tha Shkodra.

Askush nuk do të investojë apo të ndërmarrë hapa biznesi në një vend ku risku politik dhe ai ekonomik është i lartë. “Investitorët bëjnë një analizë të hollësishme, kur i drejtohen një vendi, duke kontrolluar të gjithë faktorët makroekonomikë, politikat fiskale, fuqinë punëtore e sistemin e drejtësisë”, thotë Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania, Ilir Trimi.

Sektori i prodhimit duket se po reflekton më shpejt krizën, nisur nga drobitja që ka sjellë nënçmimi i euros në vitin e fundit. Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonistëve Shqiptarë, tha se muajt e fundit, shumë ndërmarrje me 20-40 punëtore kanë dalë në shitje. “Nëse vazhdohet me këtë ritëm, shumë shpejt si efekt domino i situatave aspak të favorshme, do të kemi falimentimin e biznesit fason dhe pasojat do të jenë katastrofike. Zekja tha se ka një stepje për zgjerim të porosive nga kontraktorët e huaj, edhe për shkak të pasigurisë politike. Kriza politike dobëson konsumin e mallrave me vlerë, pasi agjentët në ekonomi dhe njësitë familjare priren të mos bëjnë shpenzime strategjike në situata të turbullta. Konsumi, i cili është baza e rritjes në ekonominë tonë, e dëmton qarkullimin në ekonomi.

Stepen investitorët

Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) pak ditë më parë prezantoi rezultatet e vëzhgimit për mjedisin e biznesit 2019, të zhvilluar me anëtarët e saj, që janë sipërmarrjet më të rëndësishme në vend, si banka, kompani që veprojnë në fushën e industrisë, naftës, telekomunikacionit, energjisë, konsulencës.

Bizneset vlerësojnë se përkeqësimin më të madh e ka shënuar klima politike (32 pikë, ku zero tregon përkeqësim domethënës), e ndjekur nga transparenca në procedurat qeveritare (38), rregulli e siguria (41) dhe sistemi dhe procedurat e prokurimit publik (42).

Siç shihet nga anketa, bizneset më të rëndësishme në vend që dominohen në kompanitë të huaja, katër shqetësimet themelore i kanë të lidhura me krizën politike dhe pasojat që ajo jep në klimën e biznesit. Shumica e bizneseve e kanë vlerësuar me përkeqësim të thellë transparencën në procedurat qeveritare. Burokracia e lartë dhe prirja për të mos dhënë informacion dhe shërbime nga administrata e shtetit për biznesin vjen si shqetësim i shtuar këtë vit. Sistemi i procedurave të prokurimit publik ndërkohë është përkeqësuar, vlerësojnë kompanitë huaja.

Të njëjtin shqetësim si FIAA reflektoi edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Drejtori Ekzekutiv i saj, Ilir Trimi, tha se nuk është e rastit që në Indeksin e Biznesit, i publikuar nga Dhoma në prill 2019, një nga indikatorët më të përkeqësuar ishte “Klima e brendshme politike”. “Mund të them se ky indikator kishte pësuar një përkeqësim me -3.02% në raport me një vit më parë, çfarë reflektoi shqetësimin e anëtarëve të Dhomës Amerikane për klimën ku po punojnë. Z.Trimi tha se me këtë përgjigje, ata adresuan qartë problemin që vjen nga konflikti politik dhe që shkakton pasiguri tek ata, por dhe te komuniteti i biznesit”, tha ai.

Ndërsa zoti Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve Shqiptare, pohoi se, kriza vjen nga mosfunksionimi i sistemit demokratik që ka prodhuar mungesë besimi në shoqëri që është një rrezik për të gjithë. Kjo krizë besimi po shpopullon vendin e cila është ngjarja më kritike që po përjeton Shqipëria, tha ai.

Turizmit i rrezikohen rezervimet e vitit 2020

Shqipëria ka shumë bukuri natyrore dhe është vendi i fundit e paeksploruar në Europë. Këto avantazhe e kanë nxitur zhvillimin e turizmit në baza profesionale, pasi po krijohet një traditë ku hotelet në bregdet rezervohen në avancë nga agjencitë e huaja. Kriza politike, që është zhvendosur me protesta shpesh të dhunshme ndaj institucioneve në rrugë, rrezikon të prishë imazhin e Shqipërisë për vitin në vijim. Sokol Shkodra, nga agjencia “Shkodra Travel”, thotë së dëmi që politika po i bën turizmit do të ndihet vitin tjetër, në prenotimet e verës 2020.

Dashur pa dashur, situata me tensione, na ndikon drejtpërdrejt. “Ne nuk jemi Franca që, kur digjet Katedralja i dyfishohet numri i turistëve. Ne jemi me një imazh në fije të perit. Kemi kërkuar çdo vit që zgjedhjet të shtyhen në dimër ose në vjeshtë, dhe s’na është marrë kurrë parasysh. Zhvillimi i zgjedhjeve gjithmonë gjatë sezonit veror duam, s’duam, ka një lloj efekti psikologjik”, pohoi ai.

Situata është dramatike”, pohon për ‘Monitor’, Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turstik Shqiptar, që bashkëpunon me agjenci të shumta si ato të vendeve nordike, polake, çeke etj. “Partnerët tanë janë shumë të shqetësuar nga anulimet që po bëjnë klientët e tyre”, pohon ai. Ndonëse nuk mund të thotë ende numra, Kasa shton se agjencitë partnere kanë marrë shumë kërkesa për anulimin e rezervimeve.

Altin Prenga, i cili administron një njësi agroturizmi në zonën e Zadrimës, pohon se, këtë vit, fluksi i turistëve është shtuar edhe pse kishte demonstrata, por shton se kriza politike e ka shkrehur administratën publike. Ai tha se zona e plazhit në zonën e Shëngjinit në plazhet e mrekullueshme të Ranës së Hedhun nuk është pastruar ende, edhe pse sezoni turistik ka nisur zyrtarisht.

Prenga thotë se Shqipëria është para një momenti të artë për të përfituar nga turizmi. Në vend që energjitë e administratës publike, si në rang vendor dhe qendror, të përqendrohen në përmirësimin e shërbimeve, shkojnë në shërbim të konfliktit politik. Zoti Prenga tha se ka një rritje të vizitorëve nga Europa Perëndimore, porse ne të gjithë duhet të tregohemi të kujdesshëm për të mbajtur këtë trend.

Ngrijnë kontratat në sektorin fason

Sektori fason, i cili është kontribuuesi kryesor i eksporteve shqiptare me 44% të tyre, përveç dobësive që i ka krijuar nënçmimi i euro, duket se fundmi është vënë në presionin e zhvillimeve politike në vend. Florian Zekja nga Unioni i Fasonistëve, tha se kriza politike e gjeti sektorin në një moment rinegocimi kontratash.

Për shkak të efekteve negative që dha nënçmimi i euros në këmbim me lekun, fitimet e kompanive ranë me gati 15% gjatë vitit të fundit. Ndaj këto kohë, kompanitë ishin përfshirë në negociata me kontraktorët e huaj, për të rritur çmimet e produkteve. Zekja ka të dhëna se, është stepur rinovimi i kontratave, edhe për shkak të çmimeve më të larta që po kërkojnë fasonistët, teksa tensionet politike janë një shtysë më tepër që ndryshimet të mos pranohen.

Zekja pohon se muajt e fundit kanë dalë në shitje shumë ndërmarrje të mesme dhe të vogla në sektorin fason me 20-40 punëtorë. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, shumë shpejt do të ketë efekt domino, me pasoja katastrofike, tha ai. Fabrikat e mëdha të tekstilit pohuan se, nuk ka largim të investitorëve nga Shqipëria, për shkak të krizës politike, po ajo e pengon një investitor të nënshkruajë një kontratë të re. Investitorët aktualë hezitojnë të zgjerojnë aktivitetin në Shqipëri, kur shohin lajme me flakë e zjarr në rrugë. Shqipëria trashëgon një histori të trishtë me trazirat politike, përsëritja e të cilave e rëndon mjedisin për biznes, në një kohë kur konkurrenca është gjithnjë e në rritje nga rajonet e tjera në zhvillim.

Nxitet shpopullimi

Përtej krizës politike, shqiptarët prej vitesh po përjetojnë një krizë besimi ndaj sistemit të qeverisjes që, edhe pas tre dekadash tranzicion, nuk ndërtuam një sistem demokratik funksional. Të lodhur dhe pa shpresë, shqiptarët i janë kthyer emigracionit masiv. Ky fenomen është përforcuar vitet e fundit dhe rrezikon të thellohet nga kriza politike.

Përvoja tregon se, kriza e brendshme politike e nxit emigracionin, si në rastin e trazirave të vitit 1997, në krizën politike të vitit 2002, ngjarjet e 21 janarit të vitit 2011, ndërsa vitet e fundit, emigracioni ka marrë përmasa të mëdha, edhe pse konfliktet e dhunshme politike nuk kanë qenë të pranishme. Në vitin 2001, kur konflikti politik ndërmjet socialistëve në qeveri e njohur si lëvizja për Katharsis largoi 40 mijë persona nga vendi vetëm në një vit. Më pas, fenomeni i largimit erdhi drejt zbutjes, për t’u rikthyer në vitin 2011, ku për shkak të konfliktit politik, katër persona humbën jetën gjatë protestave të opozitës së kohës.

Gjatë këtij viti u larguan nga vendi rreth 58 mijë persona. Fluksi nisi të ulej, por u rikthye fuqishëm nga 2015-a – e më pas, ku shqiptarët, të lodhur nga mungesa e ndryshimit, i janë kthyer emigracionit. Sondazhet e përvitshme të Gallup tregojnë se Shqipëria renditet ndër vendet me potenciale të larta të emigrimit në Europë, ku përveç të larguarve, 60% e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri planifikojnë të ikin. Kjo përqindje është më e lartë ndër të rinjtë, në moshat 15-25 vjeç, 80% preferojnë të emigrojnë sipas një ankete të këtij viti nga Qendra për Kërkime Sociale dhe Ekonomike.

Arben Shkodra nga Shoqata e Prodhuesve, pohon se emigracioni është ndoshta rreziku më i madh që i po i kanoset vendit në të gjitha dimensionet. Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve, e ka cenuar produktivitetin, konsumin dhe perspektivën që Shqipëria kishte nga një popullsi e re në moshë që tani po shkon me shpejtësi drejt plakjes.

Krizat politike prodhojnë disfata fiskale

Në 2011-2013, dy vitet e fundit të mandatit të dytë të qeverisjes demokratike, u morën disa vendime, ndikimi negativ i të cilave vijon sot e kësaj dite. Qeveria e zotit Berisha, në ditët e fundit të saj, firmosi koncesionet e para me Partneritet Publik – Privat, në fushën e skanimit në dogana, pullave fiskale, markimit të karburanteve duke i ngarkuar bizneset dhe buxhetin me fatura të pazakonta, teksa shërbimet ndaj qytetarëve nga këto koncesione kanë mbetur njësoj në mos janë përkeqësuar.

Cilësia e karburantit vijon të jetë e njëjtë dhe kalimi në dogana i mallrave të ndaluara vijon me intensitet edhe më të lartë, edhe pas koncesionit të skanimit. Gjithashtu, një borxh i fshehur rreth 580 milionë euro i paraportuar u gjet në buxhet, pasi rotacioni politik ndodhi. Kjo faturë, pasi u ligjërua nga socialistët, e çoi borxhin publik përtej 70% ose 10 pikë përqindje më shumë se kufiri normal që duhet të kenë vendet në tranzicion.

E njëjta situatë po ndodh edhe sot. Qeveria Rama vetëm sa përkeqësoi modelin që gjeti duke kontraktuar koncesione në fushën e shëndetësisë, arsim, rrugë, etj. Eurostat publikoi në fillim të këtij viti listën e vendeve të BE-së sipas detyrimeve potenciale jashtë bilancit buxhetor për kontratat me Partneritet Publik – Privat në raport me PBB. Vlerat përfaqësojnë shumën që do të financojë buxheti i këtyre vendeve për kontratat PPB dhe që nuk janë llogaritur në borxh.

Sipas Eurostat, në Europë, Sllovakia dhe Portugalia kanë detyrimet më të mëdha potenciale që lidhen me Partneritetin Publik-Privat jashtë bilancit përkatësisht në 2.9 dhe 2.7% e PBB-së. Në Shqipëri, vlera e kontratave PPP tashmë aktive që financohen nga buxheti dhe nuk janë përfshirë në borxh është 1.9 miliardë lekë, ose 15% e PBB-së, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në rishikimin e marrëveshjes së fundit me Shqipërinë (shtator 2018). Në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, detyrimet që lidhen me Partneritetet Publike-Private (PPP) janë në 3% të PBB-së, ndërsa në Shqipëri është 5 herë më i lartë 15%.

Kostot nga mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë

Shqipëria ka nisur prej vitesh një proces vettingu në sistemin e drejtësisë, i cili për më shumë se një vit e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Gjykatat e Faktit dhe Apelit po punojnë me nënpotenciale, për shkak të vetting-ut.

Në të njëjtën situatë janë edhe organet e hetimit. Mungesa e dhënies së drejtësisë ka krijuar një tjetër handikap në aktivitetin e biznesit që shumë vendime arbitrare të qeverisë i ka rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese.

Një numër i madh vlerësimesh dhe indeksesh kanë gjetur se sistemi i dobët i drejtësisë ka penguar prosperitetin ekonomik. Sundimi i dobët i ligjit dhe keqpërdorimi i tij po i pengon investitorët të vijnë në Shqipëri. Kanë kaluar pesë vite dhe asnjë kompani me reputacion nuk i është afruar vendit, teksa të tjera si Bankers Petroleum dhe gjermanët e Airport Partners, dy nga investitorët më seriozë, shitën aktivitetin në Shqipëri gjatë vitit 2016. Indeksi i Klimës së Biznesit 2019 i Shoqatës së Investitorëve të Huaj (FIA) tregoi se 5 problemet më të mëdha të kompanive të huaja në Shqipëri lidhen me vendimet e gjykatave, zbatimin e ligjit.

Mungesa e drejtësisë në gjykata, për të vendosur dënime për kredimarrësit e këqij sa nuk çoi në kolaps sistemin financiar. Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive të këqija në rajon, me rreth 12% dhe për këtë shkak, bankat kanë pushuar së kredituari ekonominë për vite me radhë e për pasojë, kursimet e shqiptarëve kanë humbur eficencën dhe zhvillimi i përgjithshëm i vendit është cenuar nga ky fakt.

Mungesa e drejtësisë në trajtimin e pronës, përveçse ka copëzuar vendin në mbi 350 mijë miniferma, është shndërruar në një burim konflikti për mijëra familje shqiptare. Përveç kostove sociale dhe në ekonomitë familjare, zhvillimi i qëndrueshëm i vendit është dëmtuar nga ky fakt.

Mungesa e sistemit të drejtësisë është bërë shkak për funksionimin e strukturave joligjore paralele me shtetin. Bizneset, sidomos në rrethe, përveç tatimeve dhe taksave, paguajnë ndaj grupeve kriminale gjoba në këmbim të mosushtrimit të dhunës. Një raport i BERZH cilëson se bizneset në rajon dhe në Shqipëri paguajnë 6% të të ardhurave ndaj aktiviteteve kriminale. Pastrimi i parave që vijnë nga aktivitetet e paligjshme ka krijuar një katastrofë urbane dhe rritje të çmimeve të pasurive të paluajtshme që nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme.

Mungesa e drejtësisë ka cenuar konkurrencën e lirë dhe ka prodhuar çmime të padrejta për kategoritë e bizneseve dhe konsumatorëve që realizojnë të ardhurat nga burimet të ligjshme. Drejtësia e munguar ose shitja e saj, në rastin më të mirë, është bërë shkak për korrupsion të gjerë në të gjitha nivelet qeverisjes. Më e keqja lidhet me faktin se tashmë, korrupsioni është shndërruar në një normalitet për shumicën. Kjo mendësi ka krijuar një klasë politike që ndan të ardhurat me oligarkinë ekonomike, duke çuar gjithnjë e më pak mirëqenie në shtresat e poshtme të shoqërisë.

Bizneset, gati skenarin për mbijetesë në kohë krizash

Kompanitë shqiptare, të cilat janë rritur dhe zhvilluar në intensitetin e krizave politike, kanë zhvilluar disa modele, të cilat sigurojnë mbijetesën në këto situata. Arben Shkodra nga Shoqata e Prodhuesve, thotë se bizneset shqiptare i kanë ndërtuar disa modele të karakterit organizativ. Operohet duke shmangur procedurat burokratike me administratën dhe gjithashtu ndërtohen plane veprimi, duke devijuar kanalet që cenojnë fitimet nga rreziqet direkte. Në këto situata, fokusi është te shpenzimet e emergjencës dhe te ruajtja e të ardhurave pa tentuar zgjerime. Por këtë herë, ai thotë se ka një krizë të sistemit demokratik, përtej krizës rutinë të politikës. Individët kanë dalë mbi institucionet dhe rendi demokratik është cenuar në themel.