Transmetuar më 19-06-2019, 01:10

Komisioneri Evropian për Emigracionin Dimitris Avramopulos ka dalë me një paralajmërim të hapur: nëse shtohen hyrjet legale për azil, BE-ja do të marrë masa duke rikthyer regjimin e vizave.

Në katër muajt e parë të vitit, numri i hyrjeve legale të azilkërkuesve nga vendi ynë në BE u rrit me 30 përqind, në 7,138.

Avramopulos u bëri thirrje shteteve të prekura që të respektojnë rregullat për të cilat është rënë dakord. Nëse ato nuk e pengojnë keqpërdorimin e vizave dhe rritet edhe më tej numri i kërkesave të paargumentuara për azil, blloku mund të pezullojë regjimin pa viza për shtete të veçanta, deklaroi ai duke shënjestruar drejtpërdrejt Shqipërinë.

Në mënyrë të veçantë për shkak të hyrjes pa viza, numri i azilkërkuesve në BE nga mesi i janarit deri në fund të prillit, është rritur me 15 përqind, krahasuar me një vit më parë.

Komisari për emigracionin iu referua shifrave të zyrës së BE-së për azilin, EASO, sipas së cilës, në katër muajt e parë të këtij viti, një në katër kërkesa për azil në BE është bërë nga shtetas të një vendi, qytetarët e të cilit mund të hyjnë pa viza në BE.

Numrin më të madh të hyrjeve pa viza rezulton të kenë azilkërkuesit nga Venezuela dhe Kolumbia, e Shqipëria renditet e treta pas tyre.