Transmetuar më 18-06-2019, 12:02

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian pritet të nxjerrin vetëm një deklaratë për rëndësinë strategjike të Ballkanit për Europën dhe nuk do të japin një datë përfundimtare për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Në mbledhjen e sotme të ministrave të vendeve anëtare të BE-së për Punët e Jashtme dhe të Europës nuk duket se do të merret ndonjë vendim përfundimtar për çeljen e negociatave me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut, por do të lëshohet një deklaratë apo vendim paraprak që do të tregojë rëndësinë strategjike të Ballkanit për Europën.

Franca, Holanda dhe Danimarka kanë shprehur rezerva, shkruan Dpa, por një ndër arsyet e mosmarrjes së vendimit është edhe mungesa e vendimit të Bundestagut gjerman.

Gjermania e merr vendimin në shtator apo tetor

Ministri gjerman i shtetit për Europën, Michael Roth, para takimit tha se, “Para një viti u kemi dhënë detyrat e shtëpisë dy vendeve dhe ata i kanë përmbushur. Veç kësaj Maqedonia e Veriut ka arritur të zgjidhë një konflikt 30 vjeçar me Marrëveshjen e Prespës. Dhe kjo është e pashembullt dhe duhet shpërblyer”.

Roth shtoi se për arsye kohe Gjermania do ta marrë vendimin në shtator ose tetor.