Transmetuar më 18-06-2019, 12:04
Klajda Gjosha

Ish ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, vlerëson se përgjimet e BILD tregojnë përfundimisht kriminalizimin e qeverisë dhe kapitullimin e shtetit të së drejtës.

Në një koment që bëri sot mbi skandalin e audiopërgjimeve ku evidentohet si Partia Socialiste blinte vota për zgjedhjet në Dibër, zonja Gjosha thotë se sot më shumë se kurrë nuk ka më dyshime se djegia e mandatave ishte një vendim ekstrem por në thelb i drejtë, dhe i vetmi opsion për të sensibilizuar qytetarët mbi një çështje që prek të drejtën e tyre themelore, votën e lirë, të drejtën për të zgjedhur!

Gjosha shtron pyetjen se çfarë duhet të presim më shumë për t’u zgjuar si komb dhe për të nisur një debat kombëtar mbi ndryshimin e sistemit dhe të mënyrës se si duhet të sillet politika?

Në këtë situatë të re pas daljes së 16 audiopërgjimeve zonja Gjosha shtron edhe pyetje të tjera?

"Çfarë duhet të presim më shumë për të shkundur nga themelet këtë drejtësi që mban peng të vërtetën?

Çfarë duhet të presim më shumë për t’i kërkuar Kryeministrit të mbaj përgjegjësi politike dhe ligjore për këtë degradim të qeverisjes?

Çfarë  duhet të presim më shumë për të parandaluar një diktaturë të egër që po vendoset në vend?"

Ish deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim thotë se "kemi arritur në pikën që Kryeminsitri kërcënon gazetarët për fjalën e lirë, ku drejtësia përdoret si kamzhik për qytetarët dhe opozitën, ku kryeprokurorja sëmuret me urdhër politik për të mos raportuar mbi realitetin e krimit dhe të dosjeve të mbajtura peng, ku parlamenti monist, ilegjitim kërkon të shkarkojë Presidentin e Republikës pse kërkon të rikthejë dialogun në vend!".

Gjosha apelon se vetëm qytetarët mund t’i bëjnë ballë kësaj çmendurie kombëtare, dhe shton: "Unë besoj fort te vlerat e këtij populli, që sado mundohen ta mbajnë kokë ulur nga varfëria, nuk mund të pranoj kurrë nënshtrimin dhe shkeljen e dinjitetit!" /noa.al/