Transmetuar më 18-06-2019, 11:13

Pas tensioneve të ditës së djeshme para KZAZ nr.2 në Shkodër mes Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake, tensionet kanë vijuar edhe ditën e sotme.

Lidhur me këtë situatë kryebashkiakja Voltana Ademi deklaroi sot se të mbështetur nga Policia e Shtetit, persona të paidentifikuar, kanë tentuar të shpërthejnë derën e Pallatit të Sportit por nuk ia kanë dalë pas ndërhyrjes së Policisë Bashkiake.

“Për këtë cenim të rëndë të autonomisë vendore nga qeveria e Edi Ramës kam vënë në dijeni institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, për të cilët qeverisja vendore e qyteteve, është e shenjtë. Mbrëmë në dy KZAZ persona të paidentifikuar kanë hyrë me urdhër të policisë. Ata nuk kanë një autorizim për ta bërë këtë. Prandaj kërkesa ime është që larg dhunës dhe larg çdo përpjekje tjetër për të cenuar institucionet e shtetit. Ata nuk janë në funksion të një procesi farsë të dhunuar dhe të dirigjuar nga Rama”, u shpreh Ademi.

Ajo shtoi se askush nuk mund të guxojë të uzurpojë dhe dhunojë punonjësit e institucioneve publike.

“Askush nuk mund të veprojë jashtë ligjit. KZAZ duhet të mbrohet. Mbrëmë në KZAZ kanë hyrë persona të paidentifikuar. Është cenuar autonomia vendore.  Do kërkojmë lirimin e të gjitha ambienteve të KZAZ-ve. Pas incidentit, i kam dërguar letër prefektit”, tha Ademi, e cila kërkon lirimin e KZAZ-ve, pas dekretit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. /a.y/noa.al