Transmetuar më 15-06-2019, 11:09

Policia e Shtetit del me deklaratë lidhur me arrestimin e të dyshuarit për supergrabitjen e 9 prillit në aeroportin e Rinasit, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, mbeti i vrarë i dyshuari Admir Muirataj.

Nga Sektori për Krime të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë për Krime të Rënda, në bazë të veprimeve hetimore të kryera, informacioneve të marra në rruge operative si dhe provave të siguruara gjatë hetimit, është bërë i mundur zbulimi, dokumentimi dhe ndalimi një tjetri autor të dyshuar të kësaj ngjarje kriminale.

I ndaluari është Hasan Kanaçi, 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Të dyshuarit i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme vlerë monetare në valutë dhe në lekë.

Aktualisht vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Ndërkohë ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për veprat penale “Vjedhje me armë kryer në bashkëpunim”, ‘Grupi i strukturuar kriminal”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta”, “Mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake”, “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

Dyshohet se i arrestuari është personi i cili ka ndihmuar nga brenda aeroportit grabitësit.

Më konkretisht ai është pjesë e stafit, për pjesën cargo, ku përpunohen mallrat dhe lekët e bankave.

Prangosja e tij dyshohet se është bërë, pasi është pikërisht personi që ka njoftuar për orarin dhe lëvizjet e parave si dhe kohën se kur thasët do të futeshin në pistë, për tu ngarkuar më tej në avion.

Grabitja e thasëve me para ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me pesë persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.

Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.

Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që u dha alarmi për grabitjen, ata hasën në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me të cilët patën dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë. Deri tani arrestuar për grabitjen gjashtë persona të dyshuar, Ragip Hajdini, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltian Veseli, Saimir Çela dhe Elton Pikli. /a.y/noa.al

Ndihmoi grabitësit nga brenda aeroportit të Rinas, arrestohet i dyshuari