Transmetuar më 14-06-2019, 22:26

Nga fushata elektorale në Roskovec, kryeministri Edi Rama ka bërë një sërë batutash, por edhe një paralajmërim për demokratët, që më 30 qershor të mos “shkojnë dhe t’i bien me kokë murit të ligjit.

Rama u shpreh se “miku i tij”, kryedemokrati Lulzim Basha, i ka “dalë prej duarsh” dhe se më 1 korrik do të jenë demokratët ata që do të bërtasin “Luli ik”.

“Shoku im Luli më ka dalë duarsh  dhe që kur ka dalë nga unë po shkon poshtë e më poshtë. U desh të vinte Meta që të na dukej Nishani si burrë shteti.  Nuk ka asnjë arsye të ketë një ’97. Sot kishin filluar të bënin shkresa. Unë them që fajin nuk ua ka PS që nuk jeni në garë”, ka thënë Rama.

Ai ka vijuar më tej duke thënë:

“Ne na vjen keq, që po bëhet një garë e çuditshme. Po largohem me një amanet për socialistët: Mbajini fqinjët tuaj demokratë afër. Kolegët nëpër punë, fermerë në arë, thuajuni që: E para njëherë të sigurojnë veten që mos të shkojnë t’i bien me kokë murit të ligjit. Më 30 qershor do ketë Rama ik, por iu them se me datë 1 korrik, do dëgjoni “Luli ik” nga vetë demokratët”.

Fjala e plotë është fushata më e lehtë që unë kam zhvilluar, jo sepse s’ka kundërshtarë, – mospasja e kundërshtarëve në fakt në garë e bën disi më të vështirë, sepse kundërshtarët vërtetë nuk janë në garë për t’u ballafaquar me ne përpara shqiptarëve, por janë në një garë me kohën për të kthyer të gjithë shqiptarët mbrapsht, – fushata është më e lehta sepse kudo ku ne drejtojmë bashkitë prej 4 vitesh, edhe këtu në Patos, nuk ka nevojë për të thënë shumë fjalë, sepse janë punët që flasin, është ndryshimi i prekshëm që flet dhe mjafton që secili të kthejë kokën pas, 4 vite më parë kur unë isha këtu bashkë me mikun tim të shtrenjtë Gramozin për të kërkuar mbështetjen tuaj për Rajmondën dhe krahasimi mes, si ishte Patosi 4 vite më parë dhe si është sot, mjafton, jo vetëm për t’i dhënë mbështetjen përsëri Rajmondës, por për ta mbështetur atë edhe më shumë, për ta mbështetur edhe më fort programin tonë të Rilindjes Urbane, për ta mbështetur edhe më me vendosmëri përpjekjen tonë që padiskutim nuk kemi bërë aq sa kemi dashur, kemi bërë aq sa kemi mundur dhe jo gjithçka kemi bërë, e kemi bërë shumë mirë, ama, çka kemi bërë mjafton për të konfirmuar dhe njëherë që këtë vend, ose e bëjmë ne, ose nuk e bën dot askush tjetër.

Rajmonda tha në detaje ato që dëshiron të jenë pikat kryesore të 4-vjecarit të ri dhe unë ju siguroj se jo vetëm që nuk do t’i mungojë mbështetja nga ana ime, nga ana e qeverisë, por nëse në 4 vitet e para kemi bërë shumë më tepër se në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku, në 4 vitet që vijnë do bëjmë shumë më tepër se në 4 vitet e para.

Unë e di që juve këtu nuk ju ka sjellë thjesht fakti që në 30 qershor ne kemi zgjedhjet vendore, por dhe fakti që rruga drejt 30 qershorit është komplikuar për shkak të anormalitetit që kanë krijuar kundërshtarët tanë politikë, për shkak të anormalitetit që vijon prej kohësh tanimë dhe që buron qoftë nga frika e tyre për t’u përballur me Partinë Socialiste në zgjedhje, sepse e dinë që nuk fitojnë dot, qoftë edhe nga paniku i tyre, për faktin se negociatat e anëtarësimit në BE janë shumë afër.

Çelja e negociatave për të gjithë ata që duan të kuptojnë se ku lidhet lufta hileqare dhe krejt e pabesë e kundërshtarëve tanë me vetë Shqipërinë, janë bisedimet mes BE dhe Shqipërisë që çelen me dy kapituj në tryezë që janë kapitujt e drejtësisë dhe duke çelur kapitujt e drejtësisë Shqipëria, jo thjesht duhet të tregojë se i ka të përputhura ligjet e drejtësisë me ligjet europiane që thuajse në tërësinë e tyre ne i kemi përputhur me reformën në drejtësi, por duhet të tregojë edhe që është një shtet ku drejtësia bën drejtësi, ku vetingu që ne kemi nisur dhe pastrimi i pallatit të drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar vazhdon me plotësimin e të gjitha vendeve të makinerisë së drejtësisë dhe me gjykimin e ndëshkimin e të gjithë atyre që 30 vjet kanë bërë të pandëshkueshmin, këtu në vendin tonë.

Nëse ju i shikoni ata që udhëheqin përpjekjen kundër Shqipërisë, ata që kanë muaj të tërë që vënë në skenë një shfaqje të shëmtuar me molotov, me kapsolla, me zjarre e me zhurmë për ta përhapur nëpër të gjithë Europën dhe për të treguar që Shqipëria nuk meriton të merret në konsideratë për të çelur bisedimet për anëtarësim, atëherë ju e kuptoni menjëherë se fytyrat e tyre janë dhe shëmbëlltyrat më kuptimplota të arsyes pse në Shqipëri nuk është bërë asnjëherë drejtësi.

Padiskutim që ne jemi kundërshtarët e tyre të padurueshëm për faktin se jemi e vetmja forcë politike në Shqipëri që qysh në sekondën e parë e ka dëshiruar dhe nga sekonda e parë ka luftuar për ta çuar përpara Reformën në Drejtësi dhe sot mbetemi të vendosur dhe të palëkundur që ta çojmë atë deri në fund pa bërë llogari se kë do kapë drejtësia, pa bërë llogari se sa e lartë apo sa e ulët duhet të jetë dera e burgut për të gjithë ata që meritojnë që të shkojnë në burg dhe pa vënë në diskutim që ne nuk duam një drejtësi si ajo që kishim as një drejtësi të një pale kundër një tjetre, por duam një drejtësi ku kushdo që duhet të përgjigjet dhe duhet të përgjigjet pavarësisht sa i gjatë është dhe nuk duhet të fshihet pavarësisht sa i shkurtër është.

Pra, në thelb, nuk është shtyrja e zgjedhjeve që ata kërkojnë, por është kaosi. Zgjedhjet janë vetëm pengu që ata duan të marrin për ta futur Shqipërinë në një rrugë pa krye, për t’i imponuar shumicës që ne përfaqësojmë, jo thjesht ne, por shumicës që ne përfaqësojmë, vullnetin e mbrapshtë të një pakice, që katërshja e aventurierëve të sotëm, Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, nuk e përfaqësojnë, por vetëm e sundojnë.

Pashë sot që disa kryebashkiakë demokratë kishin çuar një letër në KQZ, që KZAZ-të duhet të liroheshin, listat duhet të hiqeshin sepse sipas tyre, ata duan të zbatojnë dekretin e presidentit dhe ju çova një mesazh publik dhe jua përsëris këtu të gjithë kryebashkiakëve demokratë. Mos shikoni hallin e katërshes, shikoni ligjin.

Mos ju referoni zhurmave të kota të Lulit e të Monikës dhe as kapsollave të Ilir Metës.

Ata kanë një hall të madh që nuk është halli i tyre, që nuk është halli i juaj, i kryebashkiakëve demokratë dhe nuk ishte Partia Socialiste që ju nxori ju nga gara, ishin ata. Prandaj, jo vetëm që mos ju përgjigjni kërkesave të tyre absurde që të bëheni viktima ju, të ligjit, por ata duhet të përgjigjen para jush, pse ju nxorën nga gara dhe pse e katandisën Partinë Demokratike në një karrocë që në çdo hap humbet shpejtësi dhe hap pas hapi, bie copa-copa rrugëve.

Thirrja ime për të gjithë ata që nuk duan këtë qeveri, që duan që unë të iki sa më parë, që duan një mënyrë komplet tjetër të qeverisuri, që duan parti të tjera në shumicë, është të jeni në të drejtën tuaj t’i doni të gjitha këto, por mos u bëni mish për topat e atyre që duan t’ju përdorin për të mbrojtur veten e tyre nga e ardhmja që nuk ndalet, nga drejtësia që nuk merret dot më peng.

Ju e keni dëgjuar që, sidomos Ilir Meta, por të gjithë ata, por Ilir Meta sidomos, i fryn vazhdimisht konfliktit civil, përplasjes së popullit, ’97-s dhe për gjithë këto arsye është shumë i shqetësuar, deri në pikën sa në mes të fushatës, ndërhyri duke bërë një marrëzi, duke fshirë firmën e tij me firmën e tij, por unë jam i bindur që gjithë shqiptarët e kuptojnë që nëse Ilir Meta është vërtetë i shqetësuar, e ka shumë të thjeshtë t’i thotë Monikës të qetësohet, t’i thotë dhe Saliut të qetësojë Lulin dhe nuk ka më njeri që del në rrugë për asnjë gjë.

Është shumë e thjeshtë.

Nga ana tjetër, është po kaq e thjeshtë që në 30 qershor, ne do bëjmë zgjedhjet sepse ne nuk mund të pranojmë që zgjedhjet nga një detyrë e politikaneve për të dalë para popullit dhe nga një e drejte e popullit për të gjykuar dhe për të vendosur me zgjedhje, të kthehen në një të drejtë të politikanëve për të vendosur se kur mund të bëjë populli zgjedhje. Nëse do ta bënim këtë sot, nuk do mbaronte më kjo histori, nesër do dilte një tjetër pasnesër, një tjetër, e kështu me radhë, se po të ishte puna për t’i rënë shkurt, po të ishte puna për të mos pasur dhimbje koke, po të ishte puna për ta qetësuar situatën siç thonë disa që le të qetësohet, le të shtyhen zgjedhjet, unë do isha i pari më i interesuari sepse çfarë arsyeje kam unë që të bredh gjithë Shqipërinë për të bërë këtë fushatë dhe për cilën arsye duhet të dalin kaq shumë njerëz, kudo ku unë shkoj, në mes të vapës kur qeverinë e kemi dhe kemi gjithë ato punë për të bërë. Kur shumicën në parlament e kemi shumë solide. Mbështetjen nga parlamenti i shumicës sonë e kemi të plotë.

75% të territorit të vendit në nivelin vendor i qeverisim ne. Shumicën e bashkive kryesore të vendit i kemi ne, atëherë, ku është problemi që hajde se po i shtyjmë? Problemi është pikërisht ky, që shtyrja dhe rënia rehat do të ishte shumë e përkohshme, ndërkohë që ajo që do të vinte pas do të ishte një e keqe shumë e zgjatur sepse do të futej në Shqipëri rregulli që prish të gjitha rregullat që po nuk ju tek një pale, palët e tjera nuk mund të bëjnë zgjedhje dhe procesi demokratik është çështje tekash, ndërkohë që duke hyrë në zgjedhje, edhe në kushtet kur kundërshtarët kanë braktisur garën, ne zgjedhim të keqen më të vogël për t’i thonë jo të keqes më të madhe dhe prandaj në 30 qershor, nuk është e rëndësishme vetëm që do të zgjedhim kryetarët e rinj të bashkive, por është e rëndësishme që të shkojmë në votim për ta ndalur një herë e mirë të keqen më të madhe dhe për t’ju thënë atyre hienave që duan të trembin dhe të shqetësojnë një popull të tërë me fantazmën e ’97-s që juve ju ka mbetur ora tek ’97, ndërsa ora e Shqipërisë ecën dhe ju jeni e shkuara, ne jemi e ardhmja.

Ju jeni ajo e shkuar që nuk kthehet më, ne jemi e ardhmja që duam të ndërtojmë sëbashku me të gjithë pa dallim, një vend më të mirë për fëmijët tanë.

Shoh që përpjekja e përditshme e tyre dhe e gjithë atyre qorrave rreth e rrotull që i rrethojnë dhe gjithë atyre llafazanëve që i bëjnë jehonë darkave, është që të mbjellin frikë dhe të stepin popullin. Po ju them kaq, që ata bërtasin sepse duan të trembin frikën e tyre, është frika që jua rrit volumin si tek filmi Beni ecën vetë. Ata që janë më të rinj, që nuk e kanë parë filmin ndoshta, të pyesni ata që janë më të mëdhenj se çfarë bënte Beni kur kalonte pyllin në errësirë, këndonte me zë të lartë. Ata janë futur në një errësirë, por nuk e marrin dot Shqipërinë me vete në errësirë dhe nga frika që po mbjellin, nga ajo frikë do treten.

Ne nuk e kemi zgjedhur këtë fushatë pa ata përballë, por jemi të detyruar ta pranojmë siç na e kanë imponuar për të imponuar një herë e mirë në këtë vend se Kushtetuta nuk është një libër që mund të lexohet sipas qejfit dhe as mund të argumentohet sikur po shikon filxhan, se ligji nuk është vetëm për disa, për shumicën dhe pastaj për disa të tjerë si të ishte një gazetë që po të duash e lexon, po të duash nuk e lexon dhe se ky popull, nuk ka shans të merret më peng nga askush. 30 vjet që një plak sot, i marrosur krejtësisht, që i ka lidhur kokat e këtyre të tjerëve si ato kokrrat e tespiheve të plakut Mere dhe që kërkon ti bëjë tespihet e veta lak mbi Shqipërinë, janë boll, janë mjaft dhe asnjë ditë më shumë, jo asnjë vit më shumë, me presionin dhe me idenë e gabuar të plakut që mund t’i bëjë socialistët që të tërhiqen, duke i nxjerrë dhëmbët e tij të ndryshkura që nuk mund të kafshojnë asgjë përveç se bishtin e vet.