Transmetuar më 14-06-2019, 17:49

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i drejtohet kreut të PD-së Lulzim Basha me një mesazh. Balla thotë se Basha është një i pandehur si rrjedhojë e hetimeve amerikane, britanike dhe shqiptare dhe nën akuzë për falsifikim e deklarim të rremë.

Numri dy i PS-së shkruan se Basha duhet të ishte hetuar e ndëshkuar me kohë për paratë e pista që ka përdorur në fushatë dhe thotë se ai nuk mund të intimidojë Shqipërinë dhe PS-në.

"Lulzim Basha, i cili vazhdon akuzon çdo kundërshtar me një gjuhë të shfrenuar balte, sot është një i pandehur me akuzë te ngritur si rrjedhojë e hetimeve amerikane, britanike dhe shqiptare. Lulezim Basha, i cili vazhdon provokon popullin shqiptar, duke tundur dëshpërimisht flamurin e leckosur të destabilizimit, sot është një i akuzuar nga drejtësia për falsifikim dhe deklarim të rreme të pagesave prej afro 1 milionë dollarë para ruse", shkruan Balla.

Sipas tij, "Lulzim Basha, i cili vazhdon të rrotullojë pllakën e gramafonit të tij të prishur, sot është një i akuzuar nga drejtësia, që mbrëmë në një tentative të turpshme dhe të paligjshme, ka penguar me dhunë rrugën e Kryeministrit Edi Rama dhe të Presidentit të Partisë Socialiste Europiane eurodeputetit Sergei Stanishev, teksa shkonim së bashku nga Prrenjasi për në takimin elektoral të Librazhdit.

Lulzim Basha, njeriu që duhet të ishte hetuar e ndëshkuar me kohë për paratë e pista që ka përdorur në fushatën elektorale të 2017-ës, është urdhëruesi dhe arsyeja se pse Policia e Shtetit ka reaguar për të mbrojtur ligjin nga disa mjeranë që duhet të ndëshkohen në mënyrë shembullore, në bazë të ligjit".

Në fund Balla i drejtohet Bashës duke i bërë të ditur se "duhet ta harrojë se mund ta intimidojë Shqipërinë dhe Partinë Socialiste, me grupe idiotësh. 30 Qershori po vjen dhe përgjigjen e merituar të popullit shqiptar, as Lulzim Basha, as Saliu, as Monika dhe as Iliri, nuk e ndalin dot me dëshpërimin e tyre"./b.l/noa.al/