Transmetuar më 14-06-2019, 11:07

Presidenti Ilir Meta komenton rezolutën e miratuar këtë të enjte në Parlament, kundër dekretit të tij për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ai tha se Presidenti është zgjedhur nga parlamenti “natyrisht jo nga ky, por nga një parlament legjitim”.

Sipas tij Presidenti i takon Republikës, Shqipëria është republikë, Republika i takon qytetarëve.

I pyetur se kur mund ti thërrasë në një takim Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha, ai tha se sa më parë të jetë e mundur dhe se po punon me qetësi.

Po ashtu shtoi se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është në fuqi dhe se Presidenti mban shënime për çdo institucion që shkel ligjin.

“Dekreti mund të gjykohet edhe nga gjykata e Skraparit që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon dot askënd që të çmendet, madje bënë thirrje që të izolohen të çmendurit. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse vetëm ato mundësojnë çeljen e shpejtë të negociatave me Bashkimin Europian. Dekreti është në fuqi, i zbatueshëm dhe i detyrueshëm për të gjithë”, u shpreh Meta, nga një aktivitet ku ishte i pranishëm ditën e sotme.

Kreu i shtetit deklaroi se kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë është në të drejtën e tij, por garantoi se do të ketë të gjitha pasojat që do të cenojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend. /a.y/noa.al