Transmetuar më 01-06-2019, 14:42

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit të mitur B T. shtetas i Republikës së Kosovës.

Masa e paraburgimit erdhi për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

I mituri B.T,  dyshohet se dje në Ferizaj, ka sulmuar të dëmtuarën Z.S. fillimisht duke e goditur nga mbrapa me grusht në kokë e pastaj në mënyrë të paskrupullt e godet me shqelma në fytyrë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit të mitur, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gruaja rome u rrah dy herë nga të miturit. Fillimisht pak ditë më parë në Lipjan nën dyshimet se po përpiqej yë rrëmbente një fëmijë, ndërsa dje në Ferizaj.

Policia po apelon që ndaj saj mos të bëhen sulme sepse sipas tyre ajo nuk është person aspak i rrezikshëm dhe asnjëherë nuk ka qenë e implikuar në ndonjë vepër penale.