Transmetuar më 28-05-2019, 19:02

Pas një seance të gjatë, Parlamenti i Serbisë ka miratuar sot raportin për Kosovën, i cili është hartuar nga zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Vetë Presidenti Vuçiç ka thënë, në kuadër të këtij raporti, se Serbia duhet ta pranojë që e ka humbur kontrollin mbi Kosovën, dhe se duhet të gjejë kompromis me Prishtinën për të normalizuar raportet.

Në raport thuhet se dialogu në çdo drejtim ka punuar për interesat e serbëve si dhe gjatë periudhës së bisedimeve është arritur të ruhet qetësia në Kosovë dhe më gjerë.

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve kanë filluar në vitin 2011.

Palët kanë akuzuar njëra tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij dialogu.

Pala serbe është tërhequr nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi kjo e fundit, në nëntor të vitit të kaluar, u ka vënë taksë 100% mallrave të importuara nga Serbia.

Raporti sot u miratua me 145 vota pro, katër kundër, ndërsa 13 deputetë nuk morën pjesë në votim. /k.k/noa.al/