Transmetuar më 27-05-2019, 06:59

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian sollën risi të shumta. Në to pati një pjesëmarrje shumë të lartë krahasuar me vitet e tjera, mbi 50.5 për qind.

Pjesëmarrja më e lartë u shënua në Belgjikë 89 për qind dhe më e ulëta në Slloveni, 28 për qind.

Forcat pro Unionit arritën të sigurojnë dy të tretat e PE. Megjithatë partitë ekstreme kanë fituar sërish terren.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në disa vende u bënë bashkë me ato lokale, ku në Greqi, kryeministri Alexis Tsipras, njoftoi për zgjedhje të parakohshme për shkak të humbjes së thellë përballë konservatorëve në opozitë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen më 30 qershor 2019, në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale që mendohet të zhvillohen në Shqipëri.

Në këtë mënyrë Tsipras bëhet "dëshmori" i parë dhe të paktën për momentin, i vetmi i këtyre zgjedhjeve për eurodeputetë.

“Nuk do ta braktis betejën, nuk do të largohem apo të jap dorëheqjen nga lufta për barazi, solidaritet dhe drejtësi sociale. Menjëherë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale do t’i kërkoj Presidentit të Republikës shpalljen e menjëhershme të zgjedhjeve kombëtare”, tha Tsipras.

Vota e grekëve ka nxjerrë fitues për zgjedhjet e Parlamentit Europian konservatorët e “Demokracisë së Re”, të cilët kryesojnë me 32.27%, gati 9.4 pikë më shumë sesa partia qeveritare, dhe udhëheqësi i tyre Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Tsipras.

“Kryeministri duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e tij. Për të mirën e vendit, ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhjet kombëtare sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Kyriakos Mitsotakis, kreu i “Demokracisë së Re”.