Transmetuar më 26-05-2019, 08:24
Foto ilustruese

Nuk janë të panjohura rastet e vjedhjeve nëpër autobus, por njëri prej tyre është arrestuar këtë të premte nga policia e Tiranës, pas denoncimeve të bëra ndaj tij.

Bëhet fjalë për Arben Osmanin, i cili është identifikuar dhe arrestua nga policia.

Kjo pasi më 17 dhjetor 2018, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr.4, Tiranë, Trëndelina Lagësira, e cila ka deklaruar se, po në këtë datë ka qenë duke udhëtuar në autobusin e linjës së Unazës dhe i është vjedhur portofoli i saj.

Teksa policia e ka ballafaquar me fotografinë e të dyshuarit, zonja e ka identifikuar.

Ndërkohë në 1 gusht 2018, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr.4, Tiranë, Gani Kolgjini, i cili ka deklaruar se, në ambientet e Poliklinikës Nr.9, Tiranë, në Rrugën“Qemal Stafa” i është vjedhur portofoli nga persona të panjohur. Me marrjen e kallëzimit punonjësit e policisë kanë kryer veprimet e para hetimore, midis tyre edhe këqyrjen e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë të kësaj Klinike, në të cilat rezulton se një person i identifikuar më pas si Arben Osmani i ka futur dorën në xhep kallëzuesit dhe i ka marrë portofolin dhe është larguar.

Pas tij është larguar edhe një person tjetër i cili dyshohej se bënte roje.

Bëhet fjalë për Ruzhdi Xhaferi, i cili nuk është lokalizuar ende nga policia. Gjithashtu më 8 gusht 2018, ka bërë kallëzim në komisariatin nr.4, Ibrahim Arapi i cili ka denoncuar se i kanë vjedhur portofolin në Poliklinikën Nr.9, Tiranë në Rr. “Qemal Stafa”.

Osmani dyshohet se mund të jetë i përfshirë edhe në ngjarje të tjera, teksa hetimet ndaj tij janë në vijim. /a.y/noa.al