Transmetuar më 25-05-2019, 23:21

Opozita mbajti mbrëmjen e sotme, protestën e saj të gjashtë kombëtare.

Policia e Tiranës ka shoqëruar 7 persona deri më tani në komisariat pas protestës së zhvilluar në kryeqytet.

Protesta ishte përgjithësisht e qetë, ndërsa u shoqërua me disa incidente sporadike përpara ndërtesës së Parlamentit të Shqipërisë.

Në protestën e sotme nuk pati konfrontime midis protestuesve dhe policisë ndryshe nga se ka ndodhur në disa protesta.

Pas asaj të sotmes, opozita ka vendosur që protesta e ardhshme të jetë më 31 maj.

Vendimi është marrë pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike drejtuar nga kryetari Lulzim Basha.

Kjo datë shënon edhe hapjen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit në një periudhë normale politike.

Nëpërmjet protestave, opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij, si dhe krijimin e një qeverie të përkohshme,sipas tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme./a.k/noa.al/